Të gjithë sytë nga shorti, Opta zbulon shanset e secilit ekip/ Ja kush është favorite kryesore për të ngritur trofeun e Kupës së Botës 2026

04/12/2025 14:37

Shorti i Kupës së Botës 2026 do të hidhet më 5 dhjetor në Washington D.C., duke u dhënë tifozëve mundësinë të imagjinojnë rrugëtimin drejt finales së madhe në MetLife Stadium të New Jersey-t.

Turneu më i madh në historinë e futbollit do të zhvillohet në 16 stadiume në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me 48 ekipe dhe 104 ndeshje gjithsej.

Ndërsa gjashtë skuadra ende nuk janë kualifikuar – katër nga faza play-off e UEFA-s dhe dy nga playoff-et ndërkontinentale – favoritët tashmë janë të qartë. Lionel Messi synon të udhëheqë Argjentinën drejt një tjetër triumfi historik, ndërsa Franca, Spanja, Anglia e Brazili përbëjnë bërthamën e ekipeve më premtuese.

Sipas analizës së parë të superkompjuterit Opta, ja cilat përfaqësuese kanë shanset më të mëdha për të ngritur trofeun:

Spanja – 17.0% (favoritja kryesore)

Spanja vjen në Botëror si kampione e Europës, me një seri prej 31 ndeshjesh pa humbje. Talenti 17-vjeçar Lamine Yamal pritet të jetë ylli i skuadrës, ndërsa rikuperimi i Rodrit, Pedrit dhe Gavit do të jetë vendimtar. Nëse arrijnë të mbeten të shëndetshëm, “La Roja” synon të përsërisë periudhën e artë 2008–2012.

Franca – 14.1%

Botërori 2026 do të shënojë fundin e epokës së Didier Deschamps. Kylian Mbappé synon rekordet personale dhe trofeun e dytë, ndërsa Ousmane Dembélé – fitues i Topit të Artë 2025 – është në formën më të mirë të karrierës. Franca mbetet një fuqi e patundur.

Anglia – 11.8%

Thomas Tuchel nis aventurën e tij të parë në pankinën e “Three Lions”. Anglia shkëlqeu në eliminatore duke fituar të gjitha ndeshjet pa pësuar gol. Forma e Harry Kane (24 gola në 20 ndeshje) dhe niveli i mesfushorëve të rinj i japin Anglisë më shumë optimizëm se kurrë.

Argjentina – 8.7%

Messi kërkon të bëhet lojtari i parë që fiton dy Botërorë që nga koha e Pele-s. 35 gola e 21 asistime këtë sezon me Inter Miami tregojnë se kapiteni argjentinas nuk njeh moshë. Argjentina dominoi kualifikueset e Amerikës së Jugut dhe mbetet një pretendente e fortë.

Gjermania – 7.1%

Gjermania, që nuk ka kaluar në fazën me eliminim direkt në dy Botërorët e fundit, kërkon ringritjen nën drejtimin e Julian Nagelsmann. Skuadra ka talent, por ende shumë pikëpyetje, veçanërisht në mesfushë pas largimit të Toni Kroos.

Portugalia – 6.6%

Cristiano Ronaldo do të marrë pjesë në Botërorin e tij të gjashtë, ndërsa Portugalia vjen me një nga skuadrat më të forta teknikisht. Fitorja në Nations League ka rritur besimin, ndërsa ritmi i jashtëzakonshëm i Ronaldos në Arabinë Saudite e mban skuadrën në qendër të vëmendjes.

Brazili – 5.6%

Carlo Ancelotti ka ende shumë punë, pasi Seleçao u paraqit dobët në kualifikuese. Por me Vinicius Junior dhe talentin e ri Estevão, Brazili shpreson të thyejë thatësinë 24-vjeçare në Botëror – dhe pikërisht në SHBA, ku fitoi në vitin 1994.

Holanda – 5.2%

Nën Ronald Koeman, Holanda është rikthyer te tradita e 4-3-3 dhe paraqitjet pozitive janë rikthyer. Me Memphis Depay që u bë golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares, “Tulipanët” shihen si surprizë e mundshme e turneut.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta