Emri/ Kanosi me armë zjarri një 20-vjeçar, një i arrestuar në Shkodër Kreu i qeverisë Edi Rama, ka reaguar sërish në lidhje me pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, dhe vendimin e Kryeministrisë për ta çuar çështjen në Kushtetuese.
Sipas Rama, pezullimi i një ministri nuk i bllokon firmën vetëm atij, por të gjithë dikasterit, duke lënë pezull dhe çuar pas çdo punë që i takon ministrisë së caktuar.
“Përshëndetje! U bë sebep një mik i mirë për ta bërë këtë komunikim me një mesazh ku më shkuan “unë e kuptoj mirë shqetësimin tënd lidhur me parimin dhe me precedentin e rrezikshëm që krijon pezullimi i ministres se nesër bëhet rrugë dhe i bie që prokuror dhe gjykatës të heqin kë të duan nga qeveria, por ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt”.
Tani ok, mbase s’është pak e tepërt, mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell, i sjell për të thënë se sa i tepërt është në fakt pezullimi i një ministri.
Sepse faktikisht ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri i pezulluar, jo vetëm që nuk firmos dot vet asgjë, por ama bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë gjësendi në emër të dikasterit sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij, ministrit, autoritetin ekskluziv të padelegueshëm tek askush tjetër.
Prandaj dhe pezullimi i ministrit është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon. Dhe ndër gjerat që janë bllokuar nga pezullimi deri tani është dhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore, të cilën po mundohemi tani mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Ja ta zëmë që e zgjidhëm megjithëse mua më duket shumë e sforcuar, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në infrastrukturë, në godina publike që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar, si do ja bëjmë? Dhe këto janë punë të bllokuara që do të shtohen përditë.
Prandaj dhe unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese sepse nuk jam këtu për të folur për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve teorikisht, për mosndërhyrjen e një pushteti tjetër në përbërjen e ekzekutivit, teorikisht, për mosmarrjen e kompetencave të Kryeministrit nga një prokuror dhe një gjykatës, teorikisht. Jo! Unë nuk flas teorikisht dhe as nuk jam këtu të ndërhyj në punën e prokurorit dhe të gjykatësit në fjalë dhe as merrem me pse dhe si ata po merren me një dosje të caktuar të një anëtari të caktuar të kabinetit. Jo, unë flas për cenimin konkret të balancës midis pushteteve, për ndërhyrjen konkrete brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që Kushtetuta ia jep kryeministrit, mua në këtë rast dhe nuk thotë gjëkundi që ato mund t’i përdorin sipas qejfit apo sipas tyre sipas nevojës dhe prokurorët dhe gjykatësit.
Dhe më konkretisht akoma pastaj flas sesi prekja e gjithë këtyre bllokon punët në sektorët përkatës ku hyn dhe ajo marrëveshja me Kanadanë, që e përmenda dje, jo pa qëllim. Dhe e përmenda pikërisht edhe sepse më vjen plasja që u bë kaq kohë që përpiqem me mish dhe me shpirt që të hapim ato fluturime trans-oqeanike për Shqipërinë dhe një marrëveshje e parë fantastike për shqiptarë që jetojnë në Kanada, por jo vetëm për ata, na bllokohet sepse na del ky “shkop në rrota”. Dhe besoj që sa shpjegova dhe sa po shpjegoj këto ditë jep përgjigje dhe pyetjes “po mirë pse nuk e heq ky ministren dhe ja ku u zgjidh edhe ky problem bashkë me gjithë litarin që i behet kular këmbeve te atyre sektorëve duke bllokuar punën.
Jo sepse heqja e ministrit në këtë rast nuk do zgjidhte këtë problem themelor, por do krijonte një problem themelor më vete për të nesërmen. Jo për mua, por për çdo qeveri, pasi “miu” i zhbalancimit të pushteteve që do të kalonte këtë herë në mustaqe me idenë që ministrat mund të hiqen pa gjyq, mund të hiqen pa vendim të formës së prerë, mund të hiqen pa dorëheqje, mund të hiqen pa vendim të kryeministrit dhe thjeshtë mjafton një masë sigurie në një gjykatë të shkalles së parë do të kthehej në një ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzë parlamentet, do përqeshte votën popullore nga ku dhe buron përbërja e çdo qeverie. Ja pse kam shkuar unë në Gjykatën Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë institucionale aspak politike për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri më vendim gjykate nuk ka asnjë lidhje fare me emrin e vetë ministrit”, tha Rama ndër të tjera.
Top Channel