Mbetjet në grykëderdhjet e Semanit dhe Vjosës, nis pastrimi i bregdetit në Fier

04/12/2025 12:31

Pas vërshimeve të lumenjve Seman dhe Vjosë gjatë javës së kaluar, tonelata mbetjesh urbane dhe inertesh kanë pushtuar zonat bregdetare të Fierit, duke krijuar një situatë alarmante për mjedisin.

Sasia e madhe e mbetjeve plastike, drusore dhe materiale ndërtimi është transportuar nga rrjedha e lumenjve dhe ka përfunduar në brigjet e Darëzezës dhe Semanit, deri në detin Adriatik.

Përballë kësaj situate, autoritetet vendore kanë nisur sot një aksion të gjerë pastrimi. Punonjës të Ndërmarrjes së Pastrimit, të pajisur me mjete dhe makineri të rënda, kanë filluar largimin dhe grumbullimin e mbetjeve përgjatë gjithë vijës bregdetare të prekur.

Aksioni pritet të zgjasë rreth dy javë dhe përfshin përdorimin e skrepeve, ekskavatorëve dhe automjeteve transportuese, me synimin për të pastruar plotësisht zonën dhe për të rikthyer normalitetin në bregdet.

Autoritetet bëjnë apel për më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj mjedisit, ndërsa paralajmërojnë se reshjet e ardhshme mund të sjellin sërish prurje të mëdha mbetjesh nga sipërfaqe të ndotura të lumenjve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta