Publikohet sondazhi: Gjysma e europianëve e shohin Donald Trump si “armik të Europës”
Sergei Skripal u përshkrua si një “shënjestër e lehtë” në hetimin mbi vdekjen e Dawn Sturgess, ndërsa shërbimi sekret pritet të kritikohet për helmimet me novichok në Salisbury.
MI5 pritet të përballet me qortime për faktin se la një ish-spiun rus, i cili ishte objektiv në sulmin me novichok në Salisbury, “plotësisht të aksesueshëm” për atentatorët e dërguar nga Presidenti Putin.
Sergei Skripal dhe e bija, Yulia, u helmuan me agjent nervor të standardit ushtarak në mars 2018, në një sulm që mund të kishte vrarë mijëra njerëz, duke theksuar një “përçmim grotesk për jetën njerëzore” nga autorët e tij.
Sulmi, i cili la një person të vdekur, disa të tjerë rëndë të sëmurë dhe më shumë se 80 persona në spital, u përshkrua si “i parandalueshëm”, sepse autoritetet nuk vendosën masa bazë sigurie për të mbrojtur Sergei Skripal-in, një ish-zyrtar i inteligjencës ruse që kishte spiunuar për MI6.
Një hetim publik për vdekjen e Dawn Sturgess-it, e cila u ekspozua ndaj novichok-ut katër muaj pas sulmit të parë, pritet që të enjten të kritikojë MI5 për dështimin në mbrojtjen e Skripal-it dhe publikut të gjerë nga rreziku i dëmtimit dytësor. Raporti pritet t’u kërkojë shërbimeve të sigurisë të sigurojnë mbrojtje më të forta për ish-agjentët e tjerë rusë.
Ministrat pritet të shpallin sanksione të tjera të synuara ndaj individëve rusë pas publikimit të raportit.
Qeveria beson se helmimi i Skripal-it ishte miratuar personalisht nga presidenti rus. Edhe vetë Skripal ka thënë se besontë që Putini e kishte miratuar sulmin, duke i thënë hetimit: “Nëse [qeveria ruse] do të të vrasë, do ta gjejë mënyrën kudo.”
Megjithatë, hetimit publik iu tha se ai ishte një “shënjestër e ulur” (sitting duck). Edhe pse Skripal ishte një objektiv “i qartë dhe i dukshëm” si një aset i rëndësishëm inteligjence, i konsideruar tradhtar nga Putini, ai u vendos të jetonte nën emrin e tij të vërtetë në Salisbury pas një shkëmbimi të të burgosurve.
Ai jetonte në një shtëpi lehtësisht të arritshme, në vend të një komuniteti të rrethuar me hyrje të sigurta. Nuk përdorte as masa minimale sigurie si alarmi dhe kishte refuzuar instalimin e kamerave CCTV. Madje përdorte një telefon fiks për të diskutuar lëvizjet e tij.
Michael Mansfield KC, avokati që përfaqëson familjen Sturgess, i tha hetimit publik: “Lëvizjet e Skripalëve, plus aksesueshmëria e banesës, ata janë shënjestra të lehta. Kjo duhej të ishte parashikuar nga ata që ishin përgjegjës për mbrojtjen e tyre dhe të publikut.”
Ai tha se Skripal ishte një “njeri i shënuar, i identifikuar nga Putini si një tradhtar që punoi për inteligjencën perëndimore”.
Megjithëse ai ishte në rrezik, policia lokale mësoi se Skripal ishte një agjent i dyfishtë rus vetëm pasi e kërkuan në Google pas helmimit, ndërsa përdorën Wikipedia për të gjetur informacione menjëherë pas sulmit.
Sturgess u rrëzua në Amesbury, rreth 11 milje larg Salisbury-t, dhe nuk rifitoi kurrë ndjenjat pasi partneri i saj, Charlie Rowley, gjeti pajisjen me novichok të hedhur, të maskuar si parfum, dhe ia dha asaj si dhuratë.
Andrew O’Connor KC, këshilltar i hetimit, tha se ajo dukej të ishte një viktimë e pafajshme e kapur në mes të një “përpjekjeje të paligjshme dhe skandaloze të vrasjes ndërkombëtare”.
Agjentët e inteligjencës ruse GRU akuzohen se udhëtuan në Salisbury si turistë dhe vendosën novichok në derën e Skripal-it. Ai dhe Yulia u sëmurën rëndë, por u shëruan. Prokurorët kanë autorizuar akuza kundër tre burrave, Anatoliy Chepiga, Alexander Mishkin dhe Denis Sergeev, të cilët u larguan nga vendi.
Mansfield vuri në dyshim pse Skripal nuk mori një identitet të ri, një vendbanim të panjohur dhe të ndryshueshëm, dhe pse autoritetet britanike nuk kontrolluan me rigoroz aplikimet për viza për të zbuluar agjentë që udhëtonin me emra të rremë të njohur.
U konsiderua shumë e rrezikshme që Skripal të jepte dëshmi drejtpërdrejt në hetim, por në një deklaratë ai tha se atij i ishte ofruar mbrojtje, përfshirë ndryshimin e emrit, por “asnjëherë nuk u sugjerua se kjo ishte një domosdoshmëri dhe unë vendosa kundër”. Ai gjithashtu refuzoi kamerat CCTV “sepse nuk doja ta bëja shtëpinë time të dukej e dyshimtë ose të jetoja nën vëzhgim”.
Në përfundim, Mansfield tha: “Ne themi se ka pasur një dështim të plotë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur publikun.”
Ai tha se një “katastrofë madhore”, në të cilën mijëra njerëz mund të kishin vdekur nga kontakti me agjentin nervor, u shmang vetëm falë fatit, duke shtuar: “Qartë, ajo që ndodhi në Salisbury dhe efektet në Amesbury ishin të parandalueshme.”
Mansfield pretendoi se ishte “shumë e dukshme” që një sulm ishte i mundur, duke pasur parasysh historinë e operacioneve ruse në Mbretërinë e Bashkuar, si helmimi i ish-spiunin rus Alexander Litvinenko në vitin 2006.
Top Channel