Filloi si nismë personale dhe u shndërrua në një lëvizje të madhe bamirësie, “Fundjavë Ndryshe” feston 10-vjetorin

04/12/2025 15:28

Ajo që nisi një dekadë më parë si një nismë personale për të ndihmuar personat në nevojë, 10 vite më pas është shndërruar në një lëvizje të madhe bamirësie.

Fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, që ka në themel vullnetarizmin dhe bamirësinë, feston 10 vite humanizëm në ndihmë të familjeve dhe individëve në nevojë në të gjithë vendin.

“Fundjavë Ndryshe” është angazhuar në mijëra iniciativa të rëndësishme sociale, të gjitha të finalizuara me sukses.

Strehimi, shëndetësia, rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, mbështetja me bursë shkollimi, janë vetëm disa nga shtyllat që mbajnë në këmbë strukturën e fundjavës.  Si pasojë qindra jetë janë shpëtuar, mijëra familje dhe fëmijë jetimë tashmë bëjnë një jetë më të mirë.

Programet e edukimit, punësimit dhe integrimit social janë kthyer në pika kyçe të punës së fondacionit, duke synuar jo vetëm të zbusin varfërinë, por edhe të krijojnë mundësi të reja për individët në nevojë.

Në thelb të çdo ndërhyrjeje qëndron një filozofi e thjeshtë: solidariteti mund të sjellë ndryshime reale në jetën e atyre që përballen me sfida të mëdha, sepse “Bamirësia nuk të varfëron”

Më 5 dhjetor, në ditën e vullnetarizmit  “Fundjavë Ndryshe”, feston dekadën e parë të jetës, në një ditë simbolike që është e lidhur me vetë ekzistencën e fondacionit, duke i bërë të gjithë së bashku, në Pallatin e Kongreseve, në një mbrëmje që i kushtohet mirënjohjes dhe solidaritetit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta