29-vjeçari nga Prrenjasi, Nevzat Spaho, u vendos në pranga pasi sipas grupit hetimor rezulton si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.

Në pamjet e kamerave të sigurisë në zonë duket se Spaho ka qarkulluar me automjetin e tij pranë biznesit të viktimës dhe dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit që koordinoi lëvizjet e autorëve për t’i bërë atentat biznesmenit sapo ai të dilte nga biznesi.

Pas vënies së tij në pranga, policia sekuestroi makinën, si dhe 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Nevzat Spaho nuk është një emër i panjohur për policinë; ai rezulton me precedentë penale për vjedhje, plagosje, zjarrvënie dhe gjobëvënie.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se Spaho ka marrëdhënie shoqërore me Marselo Aranin, i cili është shpallur në kërkim pasi dyshohet se pikërisht ai kishte konflikt me viktimën për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Në kërkim vijon të jetë dhe miku i tij nga Laçi, Amarildo Kola. Një ditë më parë policia arrestoi ortakun në biznes të Mondi Mëhallës, Xhulio Ago, si dhe rojen e karburantit, Kujtim Pisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB