Megjithëse kishte mbledhur më shumë se 28 firma nga deputetët demokratë, Endrit Shabani rezulton se nuk e ka më mbështetjen e tyre për të kandiduar për pozicionin e Avokatit të Popullit.

Burimet i thanë Top Channel se gjatë ditës së sotme, teksa po bëhen negociatat me Partinë Socialiste, deputetët e PD-së që kishin firmosur për Shabanin, i kanë tërhequr firmat e tyre, duke ia bërë atij të pamundur të shkojë deri në fazën finale të këtij procesi, atë të votimit në Parlament.

Endrit Shabani ka qenë një nga emrat më të pranuar për socialistët nga lista me 7 kandidatë që erdhi nga selia blu dhe kjo duket se ka bërë që demokratët të bëjnë një hap pas.

I pyetur në konferencën e sotme për shtyp nëse do të mbështetet kandidatura e Shabanit, kryetari i PD-së, Sali Berisha nuk ia përmendi emrin, por la të kuptohet se demokratët kanë kandidatët e tyre në këtë proces.

Një prej emrave që Berisha e ka përmendur shpesh është ai i kryetarit të shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni.

Endrit Shabani, i cili në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pjesë e koalicionit me Adriatik Lapajn, ka pasur një përplasje të drejtpërdrejtë me kreun e PD-së, Sali Berisha kur i kërkoi atij gjatë një debati televiziv që të largohej nga politika dhe t’i hapte rrugën të rinjve të merrnin partinë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta