Bisedimet për paqe vazhdojnë, tensionet rriten/ Rusia kryen një tjetër sulm në qytetin ukrainas, raportohet për dy viktima
Një samit pesë-orësh në Kremlin mes presidentit rus Vladimir Putin, Steven Witkoff dhe Jared Kushner nuk ka sjellë ende një kompromis mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Lajmin e konfirmoi këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, i cili tha për AFP se “një kompromis nuk është gjetur ende”, sidomos në lidhje me territoret e pushtuara në Ukrainë.
Sipas Ushakov, “disa propozime amerikane duken pak a shumë të pranueshme”, por palët duhet të vijojnë negociatat pasi “ka ende shumë punë për t’u bërë”.
Ndërkohë, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje historike për ndalimin gradual të importeve të gazit natyror rus. Rregullorja e re parashikon:
Ndalim të plotë të LNG-së ruse deri në fund të vitit 2026;
Ndalim të gazit përmes tubacioneve deri në vjeshtën e vitit 2027.
Dokumenti duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe nga seanca plenare e PE-së.
“Më në fund po e mbyllim përgjithmonë rubinetin e gazit rus,” deklaroi komisioneri europian Dan Jorgensen, duke theksuar se BE-ja nuk do të kthehet më në “varësinë e rrezikshme nga Rusia”.
Në Uashington, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se palët kanë bërë “njëfarë progresi” në negociatat për t’i dhënë fund luftës.
Rubio tha për Fox News se qëllimi kryesor i SHBA-së është të gjejë një formulë që t’u japë ukrainasve garanci të qëndrueshme sigurie, duke shtuar se një marrëveshje e mundshme duhet t’i lejojë Ukrainës jo vetëm të rindërtojë ekonominë, por edhe “të lulëzojë si vend”.
Top Channel