Ish-drejtori i Burgjeve në SPAK, mbyllen hetimet për Agim Ismailajn dhe dy të tjerë Prokuroria e Tiranës ka caktuar masën “arrest shtëpie” për biznesmenen e njohur, Elisabeta Dosti, e cila dyshohet se ka përvetësuar dhe transferuar në mënyrë të paligjshme pasuritë e një shoqërie të privatizuar, duke përfituar mbi 1 milion euro ndaj aksionerëve të tjerë.
Nga hetimet e Prokurorisë është zbuluar se Elisabeta Dosti ka transferuar pasuritë e shoqërisë që përfaqësonte te një shoqëri 100% në pronësi të saj, përmes falsifikimit të dokumenteve.
“Nga hetimet e zhvilluara dhe të kryera në këtë procedim penal, rezultoi e provuar se në vitin 2013, shtetasja Elisabeta Dosti me cilësinë e përfaqësueses ligjore të shoqërisë “Prodhim Veshje nr.02” sh.a, (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionerë të shoqërisë), nëpërmjet vendimeve apo akteve të tjera të falsifikuara dhe në mënyrë krejtësisht të paligjshme ka kryer kalimin e të gjitha pasurive të paluajtshme (toka dhe ndërtesa) të shoqërisë së sipërcituar, tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj”.
Më pas, sqaron organi i Akuzës, pasuritë e transferuara në mënyrë të paligjshme nga biznesmenia Dosti, janë dhënë me qira, duke realizuar të ardhura të larta, ndërsa një pjesë tjetër janë shitur në vlerën e 1 milion eurove.
Ndaj saj rëndojnë akuzat e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, ndërsa Prokuroria vijon hetimet për të përcaktuar vlerën e plotë të dëmit.
Top Channel