“Pashë një baba në varreza që përkundte arkivolin e bardhë të djalit të tij”, zonja e Parë e Ukrainës: Nuk do të doja që Europa të bëhej e pandjeshme, mos na harroni

03/12/2025 13:37

Zonja e Parë e Ukrainës, në Paris te Macron së bashku me bashkëshortin e saj, flet për Libération: “Nuk mund të mbetem indiferente ndaj fëmijëve, dhe jo vetëm sepse jam nënë. Një nga objektivat është mbështetja për familjet që rrisin jetimët.”

Në agimin e disa ditëve më parë, ndërsa të gjithë flinin, një pallat në Ternopil u shkatërrua plotësisht nga një raketë hipersonike ruse.

Tridhjetë e gjashtë të vdekur, 120 të plagosur. Ne në Europë pothuaj nuk e vëmë më re, por Olena Zelenska ishte aty: “Fatkeqësisht, shohim që tek ju njerëzit po lodhen, janë të ngopur duke dëgjuar lajme nga Ukraina: ‘Sa do të zgjasë akoma?’, pyesin. Por ne nuk kemi zgjidhje, më vjen keq: ose vdesim të gjithë, ose do të vazhdojmë të dërgojmë lajme…”.

Që prej kur është bërë gruaja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Olena ka kaluar më shumë kohë në luftë sesa në paqe.

Dyzet e shtatë vjeçe, me dy fëmijë, arkitekte, nuk e di më sa lot ka derdhur. Por në Ternopil ishte diçka tjetër, thotë në një intervistë për gazetën franceze Libération: nën pallat, u shkrumbuan gjithashtu shtatë fëmijë dhe ajo ishte “një nga momentet që më ka shënjuar më thellë, për pjesën tjetër të jetës sime”.

Një skenë e tmerrshme. “Një baba në varreza, që përkundte arkivolin e bardhë të djalit të tij. Ishte e patolerueshme. E tmerrshme. Do ta kujtoj për pjesën tjetër të jetës sime.”

Fëmijët janë ankthi i saj. Ukrainasit dhe OKB thonë se pushtuesit i kanë deportuar në Rusi mbi njëzet mijë prej tyre. Dhe më pak se dy mijë janë kthyer mbrapsht, të shpëtuar nga rusifikimi i detyruar në ndonjë fshat të humbur siberian.

Në 28 pikat e famshme të planit Trump-Putin për paqen, çështja e fëmijëve trajtohet në një nëntitull, sikur të ishte një legjendë urbane dhe jo një krim lufte.

Cilatdo qoftë shifrat, është Olena Zelenska që merret me këtë: “Bring Kids Back”, ktheni fëmijët, është programi i saj për të identifikuar dhe riatdhesuar të gjithë të miturit e rrëmbyer.

Ajo e çon atë nëpër botë dhe të martën ishte në Paris, ndërsa Zelensky në Elize takohej për të dhjetën herë me Emmanuel Macron. “Nuk mund të mbetem indiferente ndaj fëmijëve – thotë Zonja e Parë – dhe jo vetëm sepse jam nënë. Një nga objektivat është mbështetja për familjet që rrisin fëmijët që kanë mbetur jetimë.

Po rindërtojmë gjithashtu strehimet kundërajrore në shkolla, mensat dhe kuzhinat, për të garantuar të drejtën e arsimit.”

Spitale të dedikuara, qendra shëndeti mendor për adoleshentët (“shumë prej tyre vuajnë nga depresioni i rëndë dhe numri i vetëvrasjeve është në rritje”), hapësira rinore.

Dhe rikthimi i vendeve të martirizimit, si Bucha dhe Borodyanka: “Është e jashtëzakonshme të shohësh sesi po rindërtohen dhe po bëhen më të bukura, sesi jeta po kthehet, sesi komuniteti po lulëzon. Njerëzit kanë nevojë për energji për të jetuar, për t’u gëzuar. Dhe rindërtimi i jashtëm na ndihmon të rindërtojmë nga brenda. Ne kemi një thënie: restauro njeriun dhe gjithçka do të restaurohet.”

Nuk është e lehtë, nën bomba: “Nëse mendon vetëm për bombat, jeta ndalet. Por askush në Ukrainë, nga ata që kanë mbetur, nuk mund të mendojë vetëm për rrezikun. Çdo mëngjes, pas bombardimeve të natës, çohemi dhe shkojmë në punë.”

Olena ka qenë në Quai d’Orsay, për të treguar çfarë po bën Ukraina për t’u rimëkëmbur. “Po,  pranon, është një moment i vështirë, i rëndë. Negociatat janë shumë intensive. Gjithçka po ndryshon shumë shpejt, por kjo sjell edhe shpresë. Po punojmë shumë dhe presim rezultate.

Gjëja më e keqe është stanjacioni, kur nuk ndodh asgjë dhe të gjithë mbeten duke pritur. Kjo turbulencë, këto prova janë një hap i domosdoshëm.”

Ka zonja të para që gjatë vizitave shtetërore shkojnë nëpër butike dhe restorante. Jo ajo ukrainase: “Shpesh më pyesin: si je? Dhe sa herë them me vete se do ta mendoj më vonë, sepse në të vërtetë nuk mendojmë shumë për këtë.

Më duket se roli i një zonje të parë në kohë lufte është i njëjtë me atë të një mësueseje: vazhdojmë të bëjmë punën tonë, por me sfida më të mëdha.

Duhet të jemi më fleksibile me oraret tona, të ndryshojmë gjërat shpejt, të riorganizojmë planet tona me urgjencë, të jemi më aktive… Ekziston kjo ndjenjë e vazhdueshme  urgjence”. “Nuk do të doja që Europa të bëhej e pandjeshme”, u thotë gazetarëve, teksa me dy gishta rrotullon nervozisht unazën. “Ju lutem, mos na harroni.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta