Inside Story/ Goditja e bandave, ish-prokurorët: Dosjet erdhën gati nga transkriptet e SKY! Si e “çanë rrjetën” e SPAK bosët e krimit
Në anketat e kryera, opinioni publik e ka vlerësuar punën e SPAK nisur nga rezultatet e arritura me goditjen e atyre që konsideroheshin të paprekshëm në politikë dhe krimin e organizuar.
Shumica janë të kënaqur, pasi është goditur efekti i pandëshkueshmërisë.
E megjithatë, ka mjaft zëra që ngrenë një pyetje A po godet SPAK aty ku duhet, apo aty ku është më e thjeshtë?
Për shumë ekspertë të fushës, SPAK është bërë arena ku drejtësia matet me spektaklin. Hetimet zgjerohen me ritëm të shpejtë, por rezultatet përfundimtare janë ende të pakta. Në shumë raste, arrestimet vijnë me bujë të madhe, ndërsa gjykimet zvarriten për vite. Këtu.
Nuk duhen harruar as dështimet spektakolare, siç një aksion i Janarit të vitit 2023 që vuri nën akuzë për trafik droge dhe grup kriminal 15 persona. Në fund, gjykata zhbëri hetimin e SPAK duke shpallur të pafajshëm 11 prej tyre.
Rezultoi se këta persona, ishin dënuar për episodet e pretenduara nga drejtësia italiane. Ndërkohë, gjykata shpalli fajtor vetëm 4 persona, me dënime më të zbutura se pretenca e SPAK.
Shpesh, publiku ka parë skena prangash, por jo gjithmonë ka parë dënime të formës së prerë në një kohë të arsyeshme.
“Vlerësimi real, i punës së Prokurorisë së Posaçme do të matet me rastet e dënimeve të dhëna nga gjykatat, pra të miratuara nga gjykatat më të larta, qoftë edhe nga Strasburgu apo edhe gjykata Kushtetuese, po deri më sot, edhe pse kanë kaluar 6 vjet nga puna e SPAK, akoma nuk kemi vendime përfundimtare të gjykatës”, u shpreh Gentian Ternova, ish-prokuror.
Dhe këtu lind kritika më e madhe: SPAK ka krijuar frikë, por nuk ka krijuar ende besim.
Ka një perceptim të heshtur se institucioni po funksionon me dy shpejtësi: një shpejtësi të lartë kur bëhet fjalë për zyrtarë të nivelit të mesëm, njerëz pa mbrojtje politike reale; dhe një shpejtësi shumë më të ulët kur çështjet prekin majat e sistemit, ku interesat grumbullohen, dhe ku çdo lëvizje e gabuar mund të sjellë pasoja institucionale.
“Në rast se do kemi probleme në gjykim. Në rast se do kemi shfaqje të arbitraritetit të veprimeve procedurale, sigurisht që SPAK duhet të bëjë një hap pas”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.
Top Channel