Inside Story/ Goditja e bandave, ish-prokurorët: Dosjet erdhën gati nga transkriptet e SKY! Si e “çanë rrjetën” e SPAK bosët e krimit

03/12/2025 22:08

Zbërthimi ndërkombëtar i SKY ECC nxori në pah diçka që askush nuk e kishte guxuar ta thoshte me zë: krimi i organizuar shqiptar kishte depërtuar jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në administratë, polici, drejtësi dhe politikë.

“Problemi më i madh i prokurorisë së posaçme sot që flasim është mungesa totale të institucioneve të tjera në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra prokuroria e posaçme ka mbetur një ishull i vetëm, dhe vetë prokuroria e posaçme nuk mund të tjetërsoj përfundimisht të gjithë realitetin në Shqipëri”, u shpreh Eugen Beci, avokat.

Nga komunikimet e mijëra aparateve të enkriptuara, SPAK ngriti nëntë dosje të mëdha dhe goditi organizatat më të fuqishme të dekadës. Operacione si “Revanshi”, “Metamorfoza” apo “Plumbi i Artë”, zbuluan se krimi nuk ishte thjesht pjesë e territorit, ishte pjesë e shtetit.

Por, ato dosje që u konsideruan me të drejtë si sukses i madh, mbase nuk do të ishin zbërthyer kurrë nëse nuk do të ishte ndihma e vendeve partnere që sollën transkriptet e platformave SKY EÇ dhe Enchro Chat.

“Por këto platforma i kanë nxjerrë zbuluar këto grupe kriminale dhe rrjedhimisht e kanë bërë SPAK më agresiv për veprime dhe hetime të mëtejshme”, u shpreh Tartar Bazaj, ish-anëtar i KLP.

“Në këtë histori është çështja e filtrimit analizës së provave dhe sa këto përgjime kanë shërbyer në zbulimin e ngjarjeve, sidomos të vrasjeve apo ngjarjeve të tjera të rënda kriminale. Kjo pastaj kërkon një punë analizë shumë profesionale nga ana e hetuesve, dhe jo thjesht një zbardhje të marrjeve zbardhje në kuptimin e primitimit të bisedave”, u shpreh Gentian Ternova, ish- prokuror.

Në krye të historive më të përgjakshme qëndrojnë emra që kanë tronditur opinionin publik: vëllezërit Çopja, kundër Erjon Alibej nga një krah, Plarent Dervishaj, kundër Aleksandër Muharremit nga krahu tjetër.

Arben Ndoka, e Emiljano Shullazi tentonin eliminimin e Durim Bamit nga një krah, e ky i fundit organizonte atentate ndaj Ndokës nga krahu tjetër.

Grupi Bajri kundër grupit Lici në Shkodër që përgjakën qytetin vitet e fundit në atentatet mes tyre.
Bandat më të rrezikshme të Elbasanit, Shkodrës, Niklës, Lezhës, Vlorës e më tej që dikur konsideroheshin të paprekshëm, sot janë me dosje konkrete për krime mafioze.

Këto aksione, kanë një anë të errët që lidhet me dekonspirimin. Disa prej emrave më të frikshëm të botës së krimit, kanë arritur të arratisen gjatë operacioneve dhe janë të lirë sot e kësaj dite.

Emra të rëndësishëm të botës së nëndheshme që vijojnë të lirë janë Altin Hajri, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, Suel Çela, Erlis Duka, Mikael Qosja, Arben Ndoka, etj.

“Kjo vjen për dy arsye, e para punës sepse për fatin tonë të keq, krimi i organizuar ka infiltruar në një masë të konsiderueshme dhe e provojnë faktet policinë e shtetit dhe në këtë rast ruajtja e informacionit për të mos arritur aty ke subjekti që është në kërkim apo që pretendohet të arrestohet. Dhe e dyta është që në rastin e operacionit që kanë lidhje me krimin e organizuar, është se krimi i organizuar nuk është si të gjithë qytetarët e tjerë që qëndron mes rrugës”, u shpreh Rezart Kthupi, jurist.

Nga Dubai në Belgjikë, nga Tirana në Ekuador, rrjetet shqiptare qarkullonin dhjetëra milionë euro dhe pastronin para në ndërtim, tregti e biznese të ndryshme.

SKY EÇ zbuloi edhe “kriminelët me kravatë”: deputetë, prokurorë dhe zyrtarë që garantonin mbrojtje politike për bandat ose ndërhynin në dosje të ndjeshme, nga manipulimi i Toyota Yaris te sigurimi i kandidatëve të preferuar në listat zgjedhore. Një dosje që zbuloi implikimin e rëndë të njerëzve të drejtësisë, por duket se ende nuk ka vënë pikat mbi i përfundimisht.

“Nuk është thjesht detyra e SPAK të ndërtojë narrativën e ngjarjeve si ka ndodhur, detyra e SPAK është ta provojë përpara gjykatës, me qëllim që gjykata ti dënojë ata që gjenden fajtorë”, u shpreh juristi, Rezart Kthupi.

Ervis Çela, dikur i panjohur, u shfaq si grosist kryesor i kokainës, me vëllezërit që menaxhonin transportin dhe shpërndarjen, deri në arrestimin e tij në Qeparo.

Në të njëjtën linjë, Franc Çopja dhe grupi i tij krijuan një tjetër bosht trafiku dhe pastrimi parash, ndërsa bashkëpunimi me Çelën ngriti një rrjet të dyfishtë shpërndarjeje.

Vëllezërit Hoxhosmani dhe i ashtuquajturi “Cinco” përbënin një hallkë tjetër, me lidhje direkte në Amerikën Latine.
Paralelisht, SPAK goditi laboratorët e kokainës në Qerekë të Fushë-Krujës dhe në Frakull të Fierit, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që sillte kokainën nga Amerika Latine drejt Evropës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta