Inside Story/ “Burg, burg…”, ish-prokurori i Apelit: SPAK ra “pre” e epshit popullor për masat drastike të arrestit

03/12/2025 21:47

Arrestimi i Erion Veliajt nuk goditi vetëm Bashkinë e Tiranës, goditi dhe nervin politik të Edi Ramës.

Ky, ishte momenti kur Rama kritikoi ashpër politikën e masave drastike të SPAK që izolonte zyrtarët me masën e arrestit me burg edhe pse pa akuzë.

Një kritikë që në fakt ecte në një linjë me një perceptim të krijuar ndaj SPAK për sjellje represive. Kjo, bazuar edhe në statistikat e larta të masave të arrestit me burg të lakuara nga profesionistët e fushës vazhdimisht…

Në kundërpërgjigje, SPAK publikoi aso kohe disa statistika duke theksuar se arrestet me burg në pjesën dërrmuese ishin për krimin e organizuar.

Por, pavarësisht debateve politike, shifrat ishin kokëfortë dhe shpesh juristët shkuan deri aty sa e konsideruan Gjykatën e Posaçme notere që pranonte çdo kërkesë të SPAK. Madje, duke ngritur edhe dyshime intimidimi ndaj gjyqtarëve.

“Mendoj se në këto raste ka qenë e tepruar masa e sigurimit të arrestit me burg për personat publik, pavarësisht se një pjesë e publikut kërkon masa ekstreme arrestime sepse kanë një lloj mllefi, inati, por prokuroria nuk duhet të bi pre e kësaj dëshire, apo këtij epshi popullor për ndëshkime”, u shpreh Gentjan Tërnova, ish-prokuror.

“I dhamë fund pandëshkueshmërisë. Sot do shohim, a mos kemi shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, thjeshtë për të kënaqur opinion publik, për të kënaqur ato zërat të cilat prisnim me padurim drejtësinë, këtu duhet të ndajmë ndëshkimin nga drejtësia”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.

Kërkesat drastike të SPAK për masat e arrestit me burg, nuk ishin thjesht një perceptim dhe lojë statistikash. Kjo politikë e ashpër mori një goditje të fortë në Gjykatën e Strasburgut për rastin e ish drejtorit të televizonit publik Thoma Gëllçi.

Gjykata e të drejtave të njeriut konkludoi se nuk justifikohej mbajtja e tij në paraburgim, vendim i cili binte si kritikë e fortë ndaj SPAK.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta