Nga tre kampuset ku operon Kolegji i Europës, përveç Brukselit dhe Polonisë është edhe Shqipëria. Kampusi i Tiranës ushtron aktivitetin akademik në godinën Liria të Universitetit të Tiranës.
Përballja e rektores së Kolegjit të Europës, Federica Mogherini me drejtësinë pas dyshimeve për konkurrencë të pandershme në tenderin në lidhje me një program 9 mujor trajnimi për diplomatët e rinj, ka shokuar jo vetëm Brukselin. Dhe pyetja që lind natyrshëm është “A e prek hetimi i Brukselit kampusin e Tiranës?”
Top Channel mëson se në kampusin e Tiranës zhvillohet vetëm një program pasuniversitar “Masteri për Transformimin dhe Integrimin Europian”, i cili ka 40 studentë ndërkombëtarë përfshirë ata të Shqipërisë dhe të Kosovës. Por përgjatë kësaj periudhe prej dy tri javësh janë në sezon provimesh dhe nuk ndodhen në godinë, megjithëse ditën e sotme është parë pjesë e stafit të cilët kanë zhvilluar një mbledhje në lidhje me aktualitetin por të pyetur nga Top Channel zgjodhën të mos bënin koment.
Edhe pyetjet e Top Channel dërguar zyrës së komunikimit të Kolegjit të Europës nuk zbuluan më shumë detaje në këtë fazë. Kolegji i Europës konfirmon se janë njoftuar më 2 dhjetor për veprimet hetimore të ndërmarra nga Prokuroria Publike Evropiane, kur edhe janë kryer kontrolle në ambientet e kampusit në Bryzh. Dhe në këtë situatë shprehin gatishmërinë për të bashkëpunuar në ndihmë të hetimit dhe që tregojnë se po punojnë për të mos u penguar procesi akademik.
“Kolegji i Europës do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet, në interes të transparencës dhe respektimit të procesit hetimor. Kolegji mbetet i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit, drejtësisë dhe pajtueshmërisë, si në çështjet akademike ashtu edhe në ato administrative. Kolegji po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar vazhdimësinë e aktiviteteve. Nuk kemi koment të mëtejshëm në këtë fazë, për të mos ndikuar hetimin”, thuhet në deklaratën e Kolegjit të Europës.
Në një vit në Kolegjin e Europës në 3 shtete ndjekin studimet pasuniversitare rreth 500 studentë. Prej tre kampuseve, Brukseli ka numrin më të madh të studentëve, konkretisht në Bryzh 350 diplomatë të rinj. Më pas është Polonia në kampusin Natolin, rreth 120 studentë. Dhe filiali i parë jashtë vendeve të BE që ju shtua Kolegjit në vitin 2024 ishte në kryeqytetin shqiptar, ku gjatë 2025 numëron 40 studentë.
Top Channel