Policia e Durrësit ka arrestuar një 21-vjeçar të shpallur në kërkim për vjedhje automjetesh në lagjet e Durrësit dhe në qarkun e Dibrës.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Klajdi Lleshi, 21 vjeç, lindur dhe banues në Bulqizë, dyshohet se kishte vjedhur automjete për t’i shitur më pas personave me precedent kriminal, të cilët i përdornin për kryerjen e veprave të tjera penale.

Operacioni u realizua në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 4 Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Bulqizë, duke bërë të mundur kapjen e 21-vjeçarit në flagrancë, pak minuta pasi kishte vjedhur një automjet Benz në fshatin Gjoricë, Bulqizë, në pronësi të shtetasit V. Xh.

Gjatë hetimeve u konstatua se i riu kishte vjedhur edhe tre automjete të tjera në lagjet nr. 15 dhe nr. 17 të Durrësit, si dhe sende personale nga një automjet tjetër.

Policia sekuestroi automjetet e vjedhura të markave Benz, Toyota, Volkswagen dhe Ford Focus, të cilat do të përdoren si prova materiale.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, ndërsa hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas vijojnë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta