Dita e Aftësisë së Kufizuar/ Shoqata e para-tetraplegjikëve dhe nxënësve të shkollës ‘Migjeni’ çelin ekspozitën

03/12/2025 16:47

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Aftësisë së Kufizuar, Shoqata e Para-Tetraplegjikëve të Durrësit dhe nxënësit e shkollës “Migjeni” çelën një ekspozitë me punime artistike në Qendrën kulturore të Fëmijëve. Përmes saj, fëmijët sollën mesazhin e barazisë dhe solidaritetit.

“Kjo ditë, përmes punimeve të fëmijëve, erdhi më bukur se kurrë. Plot ngjyra, plot jetë, plot dritë. Është kënaqësi t’i kemi fëmijët mes nesh dhe të edukojmë brezat me frymën, qasjen pozitive ndaj PAK”, është shprehur Nënkryetari i Shoqatës së Para-Tetraplegjikëve në Durrës, Sadik Sallaku.

Mes punimeve te tyre, nxënësit treguan emocionet që i frymëzuan.

“Këto piktura i kam bërë me shumë dashuri për njerëzit me aftësi të kufizuara… Ne jemi të barabartë dhe duhet ta duam botën”, u shpreh një nxënëse.

Por atmosfera festive u shoqërua edhe me zëra që tregojnë vështirësitë e përditshme. Florina Sulko, nënë e tre fëmijëve, njëri në karrocë, përballet e vetme me sfida ekonomike dhe sociale.

“Është shumë e vështirë. Burri më ka vdekur. Jetoj vetëm me pension. Kujdestaria është 13 mijë lekë dhe ato s’dalin veç për drita e ujë. Me pensionin e fëmijës paguaj qiranë dhe bebelinat”, tha prindi Florina Sulko.

Ajo tregon se u detyrua të largohet nga një banesë me qira, sepse një fqinj nuk pranonte pranë një familje me PAK dhe kërkon përshpejtimin e procedurave për një banesë sociale nga Bashkia Durrës.

“Shtëpi dua unë, nuk kam shtëpi”, u shpreh djali i Florina Sulkos.

Në ketë ditë ndërgjegjësimi, ekspozita e nxënësve solli ngjyra dhe shpresë, por solli në vëmendje dhe faktin se mbështetja për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuara duhet të jetë konkrete, dinjitoze dhe e shpejtë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta