Armatimi kundër Rusisë, Kanadaja bashkohet me Programin e Mbrojtjes të Bashkimit Europian

03/12/2025 09:12

Kanadaja është lejuar të bashkohet me programin e financimit të mbrojtjes të BE, SAFE, njoftuan liderët e të dyja palëve. Ky veprim vjen ndërsa pjesa më e madhe e Perëndimit armatoset kundër agresionit rus.

BE dhe Kanadaja njoftuan të hënën se ishte arritur një marrëveshje për të lejuar Otavën të marrë pjesë në instrumentin e financimit të mbrojtjes së Evropës SAFE, prej 150 miliardë eurosh (174 miliardë dollarë).

Në një deklaratë të përbashkët, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministri kanadez Mark Carney e përshkruan marrëveshjen si “hapin tjetër në bashkëpunimin tonë gjithnjë e më të thellë dhe një simbol të prioriteteve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Kanadasë”.

Çfarë tjetër thanë udhëheqësit e BE dhe Kanadasë?

“Në këto kohë trazirash gjeopolitike, SAFE është një mjet për të rritur bashkëpunimin, për të përmbushur objektivat e mbrojtjes dhe për të shpenzuar më me efikasitet, duke adresuar njëkohësisht urgjencat afatshkurtra dhe nevojat afatgjata”, deklaruan Von der Leyen dhe Carney në deklaratën e tyre.

“Së bashku, ne do të krijojmë zinxhirë furnizimi mbrojtës elastikë midis industrive tona në një kohë vendimtare për sigurinë globale”, pohuan ata.

Çfarë synon të bëjë SAFE?

Programi SAFE (Veprimi i Sigurisë për Evropën) synon t’u ofrojë kredi anëtarëve të tij me kushte të favorshme për blerjen e përbashkët të armëve me partnerë të tjerë. Kreditë do të garantohen nga buxheti i BE.

Programi u krijua në një kohë kur BE kërkon të forcojë industrinë e mbrojtjes në përgjigje të kërcënimit ushtarak në rritje të Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara duket se po tërhiqen nga solidariteti i tyre tradicional i mbrojtjes me Evropën.

Vendimi i Kanadasë për t’u bashkuar me projektin vjen ndërsa ky vend po përpiqet gjithashtu të zvogëlojë varësinë për mbrojtjen nga fqinji i saj, duke pasur parasysh ftohjen në rritje të administratës Trump.

Edhe pse blerjet e përbashkëta të armëve të bëra me ndihmën e SAFE duhet të kenë të paktën 65% të komponentëve të tyre të prodhuar brenda 27 shteteve anëtare të BE-së, shteteve jo-anëtare, si Kanadaja, mund t’u lejohen përjashtime. Britania e Madhe gjithashtu kishte njoftuar dëshirën për t’u bashkuar me programin SAFE, por në fund u tërhoq për shkak të kuotës së hyrjes që kërkohej nga vendet pjesëmarrëse./DW

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta