BE miraton marrëveshjen për ndërprerjen e importit të gazit rus, afati i fundit nëntori i 2027-ës
Vladimir Putini na kërcënon ne për t’u folur të tjerëve. Pak para samitit të shumëpritur me të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë, presidenti rus i kujtoi Donald Trump-it se paqja, për të cilën ai kujdeset aq shumë ka një zgjedhje të pashmangshme: Midis Rusisë dhe Europës.
Alternativë tjetër nuk ekziston. Kontinenti i vjetër duhet të jetë një armik i përbashkët, jo një bashkëbisedues. Që të qëndrojë jashtë negociatave. Përndryshe, nuk do të bëhet asgjë. Ajo e djeshmja nuk ishte një shpërthim. Ishte një mesazh për partnerin potencial amerikan.
Tonet shumë të ashpra që i paraprinë takimit me delegacionin amerikan, pothuajse për të vënë në dukje pikën kryesore, janë pa dyshim të lidhura me faktin se për herë të dytë pas samitit të gushtit në Alaskë, njeriu i Kremlinit ndien se situata ka ndryshuar pas ndërhyrjes së liderëve europianë.
Ashtu siç është bërë, plani i ri nuk i intereson më. “Edhe një herë është tradhtuar fryma e Anchorage”, thotë një burim i njohur me negociatat aktuale, dhe edhe një herë gjithçka të çon tek ajo që u ra dakord në atë takim veror gjatë dialogut midis dy presidentëve.
Para pak javësh, ishte vetë Putini që tha se 28 pikat e famshme të planit amerikan ishin në thelb “një version i modernizuar”, kështu e quajti ai, i kushteve të paqes që ai i paraqiti Trump-it gjatë atij takimi historik. Presidenti amerikan tha se duhet të fliste me aleatët europianë, por nuk dihet nëse ai i kishte dhënë garanci suksesi homologut rus.
Propozimi i dakordësuar në Alaska përfundoi shumë shpejt në sirtar për shkak të kundërshtimit të Ukrainës dhe aleatëve të saj. Rikthyer në qendër të vëmendjes pas bisedimeve tashmë të njohura midis të plotfuqishmit të Kremlinit Kirill Dmitriev dhe biznesmenit të pasurive të paluajtshme Steve Witkoff, duket i destinuar për një fat edhe më të keq, të paktën sipas logjikës ruse. Nuk është tërhequr thjesht duke pritur kohë më të mira, por është ndryshuar. Edhe një herë, për shkak të Europës së urryer.
Zemërimi i akullt i Putinit vjen nga ky konstatim i thjeshtë. Ajo e djeshmja mund të duket si një fjalim frikësues ndaj nesh, por është në të njëjtën masë edhe për Trump-in. Një lloj ultimatumi për ta vënë përballë përgjegjësive të tij, ose ndoshta angazhimeve të marra më parë. Atje ku është Europa, nuk mund të jetë më Rusia.
Tashmë rruga e tij drejt Azisë është e shtruar. Për të zgjatur pritjen e delegacionit amerikan, Putini i lejoi vetes një vizitë në Forumin ekonomik të bankës VTB. “Nga ajo që shohim vitet e fundit, Europa ka më shumë nevojë për Rusinë sesa Rusia ka për Europën. Ne po zhvillojmë në mënyrë aktive partneritete natyrore me Indinë, me Kinën, me vende të tjera. Kemi një tregti në rritje dhe po përmirësojmë sovranitetin tonë teknologjik. Ne jemi mirë, ndryshe nga të tjerët.”
Aleksandr Yakovenko, rektor i Akademisë Diplomatike pranë ministrisë së Jashtme, ish-ambasador në Londër dhe ish-zëvendësministër, na shpjegon se një nga objektivat e Putinit është një ndarje gjithnjë e më e qartë e SHBA-së nga pjesa tjetër e të ashtuquajturit “Perëndimi kolektiv”. Sipas tij, aleanca atlantike është bërë një zinxhir që duhet thyer në interes të kombit amerikan. “Për Trump-in do të ishte çështje e rikthimit të madhështisë së tij kombëtare duke marrë parasysh faktin se hegjemonia perandorake i ka konsumuar tashmë burimet e saj, dhe udhëheqja amerikane në atë qoshe të planetit është bërë një peshë e tepërt”.
Në një farë mënyre, ajo e Putinit është ftesa e fundit për Trump-in për Rendin e Ri Botëror. Por duhet të paguajë çmimin. Nëse në imagjinatën kolektive të krijuar nga propaganda ruse, Europa lidhet tashmë me “nazistët ukrainas”, atëherë gati-miku amerikan nuk mund të qëndrojë me një armik ekzistencial të Rusisë. Përndryshe, nuk është më i tillë.
Top Channel