Zbardhet skema e abuzimit në AZHBR/ 2 milionë euro për fermerët në Malësinë e Madhe, sipërfaqja e tokës e rritur në mënyrë fiktive

02/12/2025 19:55

Në vitin 2024 AZHBR ka dhënë para për toka të pa mbjella me bimë mjekësore aromatike. Nëse të gjithë fermerët e kësaj zonë do të plotësonin kushtet e Ministrisë së Bujqësisë për të përfituar subvencion, sipërfaqja e tokës nuk do të kalonte shifrën e 5000 Ha.

Burime për Top Channel thonë se inspektorët e AZHBR të  njëjtën parcelë prezantonin si një tokë të re, por që herë pa herë i ndryshonte emri fermerit. Duke përdorur Skemën Kombëtare si instrument drejtoresha e AZHBR, Ardita Kucci  rriti në mënyrë fiktive sipërfaqen e parcelave me sherebelë dhe livandul, ku për 846 fermerë nga Malësia e Madhe për 6,345.1 Ha, u dhanë 190.353.000 ALL.

“Epiqendra më e madhe e kultivimit  e BMA është Malësia e Madhe, Kopliku ku vetëm me sherebelë janë të kultivuara 2000-3000 ha, por krahas sherebelës kemi livandul, trumbë, dhe rigon dhe në totalë në këtë zonë sipërfaqja me BMA shkon diku tek 5000 Ha“, u shpreh Kryetari i Shoqatës së Industrisë BMA, Filip Gjoka.

Ndërsa për vitin 2025 harta e parcelave të pa mbjella u dyfishua, ku për  1.290 aplikime AZHBR kërkonte të jepte para për 11.430.1 ha, por në të vërtetë në vlerësimin e kryetari të Shoqatës së Industrisë të BMA, Filip Gjoka, kjo shifër nuk arrihet as në të gjithë Shqipërinë.

“E gjithë Shqipëria ka mbi 10.000 mijë HA“, tha Gjoka.

Të dhënat e terrenit pasqyrojnë një tjetër realitet, në këto dy vite nuk është mbjellë asnjë  metër më tepër me livandul dhe sherebele.

“Vitin 2024 ne kemi qenë afërsisht rreth 50 mln euro ekspert, ndërsa në 2025 kemi +5 dhe kjo vjen prej zhvlerësimit të euros dhe dollarit ku ne rritem çmimin. Sasia është pothuajse e njëjtë ose në rënie për shkak të mungesës së subvencionimeve“, shprehet ai.

Lëvrimi i 2 milion eurove për toka që nuk ekzistojnë u bë me bekimin e vetë drejtoreshës së AZHBR, Ardita Kucci, pasi inspektorët e saj nuk parandaluan falsifikimin e dokumenteve të AMTP-së, që në atë zonë njihet si titull pronësie.

Por Top Channel mëson, se kryetarët e Njësive Administrative të Malësisë së Madhe, së bashku me inspektorët kanë tentuar dhe një tjetër herë të shtojnë sipërfaqen e të mbjellave në letra , në vitin 2022 nga 908 aplikime, vetëm 174 fermerë përfituan subvencionin për naftë, pasi skema e tyre u zbulua në kohë.  Ndërkohë në zyrat e drejtorisë së përgjithshme të AZHBR-së grupi i auditimit të Ministrisë së Bujqësisë, po heton për abuzimin e 2 mln eurove.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta