Pas kërkesave nga qeveria e Trump, Maduro miraton fluturim për riatdhesimin e emigrantëve nga SHBA-ja
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nuk ka pasur “kurrë” mundësi më të mirë se tani për ta arritur një marrëveshje për të ndalur luftën e Rusisë ndaj vendit të tij, teksa i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, mbërriti në Kremlin për bisedime për një propozim për paqe të hartuar nga Shtetet e Bashkuara.
Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, fluturuan për në Moskë ditëm e sotme për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin dhe negociatorët rusë, pas një propozimi fillestar 28-pikësh nga SHBA-ja – i cili kryesisht shihej si i përputhshëm me qëllimet ruse për pushtimin e plotë të Ukrainës – që u “përmirësua” në 19 pika pas bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase javën e kaluar.
Por, disa çështje kryesore në tryezë, duke përfshirë fatin e një pjese të rajonit të Donbasit të Ukrainës, synimet e Ukrainës për t’u futur në NATO dhe kufizimi për madhësinë e forcave të armatosura të Kievit, duket se mbeten të pazgjidhura.
“Tani, më shumë se kurrë, ka mundësi për ta ndalur këtë luftë”, tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Dublin, pas takimit me kryeministrin irlandez, Micheal Martin.
“Detyra jonë e përbashkët është të ndalim luftën, jo vetëm të arrijmë ndërprerjen e armiqësive. Kërkohet paqe e dinjitetshme. Për ta arritur këtë vërtet, të gjithë duhet të jenë në anën e paqes”, shtoi ai.
Witkoff hyri në oborrin e Kremlinit i shoqëruar nga Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i Putinit për investime dhe bashkëpunim ekonomik, i cili ka udhëhequr bisedimet për Moskën.
Ky do të jetë takimi i gjashtë i Witkoffit me Putin që nga janari.
Ukraina ka shprehur hapur shqetësimin se Uashingtoni dhe Moska mund të pajtohen për një plan për të ndalur konfliktin më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Trump bëri fushatë në vitin 2024 duke pretenduar se mund ta ndalë luftën brenda 24 orësh, por arritja e një marrëveshjeje për të ndaluar pushtimin e plotë të Ukrainës – që Moska e nisi në shkurt 2022 – del të jetë shumë e vështirë.
Trump ka shprehur pakënaqësi me të dyja palët, pasi bisedimet kanë ngecur për muaj, para se të rigjallëroheshin përsëri në javët e fundit.
Moskë ka thënë vazhdimisht se duhet patjetër ta kontrollojë të gjithë Donjeckun, një nga pesë rajonet ukrainase që Putin pretendon pa bazë se janë ruse. Dorëzimi i tokës që forcat ukrainase e kanë mbajtur larg Rusisë me kosto të madhe do të ishte një lëshim i madh nga Kievi dhe mund të ketë pasoja politike për Zelenskyn.
Ukraina frikësohet se disa nga kushtet e propozimit do ta lënë atë të ndjeshme ndaj pushtimit eventual nga Rusia, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë propozuar gjithashtu një garanci sigurie 10-vjeçare për Kievin.
Më herët më 2 dhjetor, Rusia pretendoi se kishte kapur qytetin kyç Pokrovsk në rajonin e Donbasit të Ukrainës, të cilin Kievi po lufton me shumë vuajtje për muaj të tërë për ta mbajtur.
Komanda ushtarake e lindjes së Ukrainës e hodhi poshtë këtë pretendim në një postim në Facebook, duke thënë se forcat ruse kishin përdorur kushtet e këqija të motit për të vendosur flamurin e tyre në një rreth të Pokrovskut për qëllime propagandistike, në përpjekje për të provuar se kishin marrë kontrollin mbi të gjithë qytetin.
“Pas kësaj, ata ikën me ngut”, thuhet në deklaratë.
Putin ka thënë se është i gatshëm për bisedime për paqe, por nëse Ukraina refuzon marrëveshjen, atëherë forcat ruse do të çajnë përpara dhe do të marrin më shumë toka ukrainase.
Disa nga veprimet e mëparshme të Witkoffit kanë ngritur alarme tek vëzhguesit e jashtëm, të cilët frikësohen se ai po manipulohet ose se nuk kupton thellësisht kontekstin e ndërlikuar historik të luftës.
Witkoff ka përdorur përkthyes të siguruar nga Kremlini për bisedimet e tij me Putin dhe zyrtarë të tjerë, në vend që të përdorte përkthyes të autorizuar nga Ambasada e SHBA-së.
Pas takimit të fundit të Witkoffit me Putin në gusht, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se ai nuk kishte kuptuar mirë gjeografinë e territorit ukrainas që Putin po pretendonte.
Disa media cituan burime që thanë se Witkoff dhe Kushner mund të takojnë Zelenskyn pas bisedimeve në Kremlin.
Zelensky tha se pret të marrë lajme nga ekipi amerikan menjëherë pas bisedimeve në Moskë dhe se mbetet i gatshëm të takojë Trumpin, në varësi të rezultateve të diskutimeve të 2 dhjetorit./ REL
Top Channel