Çmimet në rritje si dhe as masat kufizuese nga ana e Bankës së Shqipërisë duket se nuk i kanë privuar shumë qytetarët në vendimin e tyre për të blerë një shtëpi me kredi.
Të dhënat e bankës qendrore tregojnë se për muajin tetor kredia për shtëpi arriti në 4.7 miliardë lekë, një rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Është kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi që po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.
“Shifrat e muajit tetor tregojnë se aplikimet për kredi nuk janë ndikuar ndjeshëm nga masat. Familjet që përmbushin kriteret vijojnë normalisht procesin e blerjes së banesës”, shprehet ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.
Në 10 muaj kredia për banesa në 2025 arriti vlerën më të lartë në 5-vjecarin e fundit me 54.7 mld lekë. Këtë ecuri ekspertët e tregut e lidhin me kërkesën e lartë për strehim të qytetarëve.
“Është e rëndësishme të vlerësohen tendencat në muajt në vijim për të parë nëse masat do të kenë efekt dhe si do të reagojë tregu i huamarrjes”, shton Radonshiqi.
Banka e Shqipërisë vendosi tavan kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë në 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Këto masa FMN I vlerësoi të duhura dhe sugjeroi vijim e përhershëm të tyre.
Top Channel