“Gjeni një rast të dytë ku një prokuror dhe një gjykatës pezullojnë një ministër”, Rama: Qëllimi i luftës kundër korrupsionit nuk justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar

02/12/2025 13:30

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë Belinda Balluku nga detyra, çështje e cila ndodhet në ‘duart’ e Gjykatës Kushtetuese.

Rama thotë se nuk ka rast tjetër në botë që një prokuror dhe një gjykatës, pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie.

“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!”, shkruan Rama.

Teksa konfirmon qëndrimin ndaj reformës në Drejtësi, kreu i ekzekutivit e quan vendimin e Gjykatës për pezullimin e Ballukut si rrëzimin e fëmijës që sapo ka mësuar të ecë.

“E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës”, vijon më tej kreu i Qeverisë.

Sipas tij “Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta