E rrallë / Lojtari i Barcelonës do të mungojë sot ndaj Atleticos, vuan nga çekuilibrimi mendor…Flick: Kërkoj mirëkuptim dhe respekt

02/12/2025 10:03

Para supersfidës së mbrëmjes në La Liga mes Barcelonës dhe Atletico Madridit, skuadra katalanase është goditur nga një tjetër mungesë e rëndësishme.

Ronald Araujo nuk do të jetë i gatshëm të luajë, pasi po përballet me një periudhë të ndërlikuar në planin psikologjik.

Trajneri Hansi Flick, i cili drejton Barcelonën, e konfirmoi situatën me shumë kujdes: “Ronald nuk është gati. Është një çështje private dhe nuk dua të shtoj më shumë. Kërkoj mirëkuptim dhe respekt.”

Sipas spanjolles “Marca”, përfaqësues të lojtarit kanë zhvilluar takime me drejtuesit e klubit për të siguruar mbështetje të specializuar psikologjike. Mbrojtësi uruguaian ka kërkuar një periudhë pushimi pa afat të caktuar, me synimin që të rikuperojë qetësinë dhe ekuilibrin e tij mendor, megjithëse fizikisht është në gjendje optimale.

Brenda klubit ka unanimitet: drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët janë të bashkuar në qëllimin për ta ndihmuar Araujon të rikthehet, pa presion dhe me kohën e nevojshme për të rifituar besimin dhe ritmin e tij.

Situata e tij është rënduar edhe nga episodi i së martës në ‘Stamford Bridge’, ku mori karton të kuq në ndeshjen e Champions League kundër Chelsea-t. Ndërhyrja e vonuar ndaj Cucurella-s, e cila i solli të dytin e verdhë kur Barcelona po humbiste 1-0, ka pasur ndikim të madh emocional tek ai.

Që prej kësaj ndeshjeje, Araujo ka qenë jashtë ritmit të grupit dhe nuk ka marrë pjesë në dinamikën e zakonshme të skuadrës. Klubi dhe shokët e tij kanë shprehur mbështetje të plotë, të vetëdijshëm se lojtari ka qenë nën presion edhe sezonin e kaluar për shkak të disa gabimeve vendimtare. Kjo ndërprerje, siç theksojnë burime pranë klubit, është një hap i domosdoshëm për t’i dhënë Araujo-s kohë për t’u rigjeneruar. Synimi është që ai të rikthehet më i fortë, gati për të udhëhequr sërish mbrojtjen e Barcelonës së Hans Flick, në një moment kyç të sezonit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta