Stuhia dimërore përfshin SHBA-në, probleme serioze në rrugë dhe aeroporte
Policia belge bastisi zyrat diplomatik të BE-së në Bruksel dhe Kolegjin e Evropës në Bryzh si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me financimin e zyrtarëve të ulët, ku si rezultat u arrestuan 3 zyrtarë të lartë, mes tyre edhe shefja e Diplomacisë në BE, Federica Mogherini.
Sipas Prokurorisë Europiane (EPPO), ekzistojnë “dyshime të forta” se të arrestuarit janë të përfshirë në shkelje të rregullave të konkurrencës gjatë dhënies së një kontrate për funksionimin e Akademisë Europiane të Trajnimit të Diplomatëve.
Përveç Federica Mogherinit, në pranga është marrë edhe ish-diplomati italian i BE-së Stefano Sannino, si dhe bashkë-drejtori i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive në Kolegjin e Europës, Cesare Jegretti.
Sipas ‘Politico’, kontrollet, të cilat u kryen pas kërkesës së EPPO-s, u realizuan nga policia belge në zyrat e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, në godinat e Kolegjit të Europës në Brugge dhe në banesa private.
EEAS është departamenti i politikës së jashtme të BE-së. Deri në vitin 2019, në krye të tij ishte ish-nënkryetarja e Komisionit Europian, Federica Mogherini. Në vitin 2020, ajo mori postin e rektorit të Kolegjit të Europës, një institucion arsimor për të ardhmen e zyrtarëve të BE-së.
Stefano Sannino, ish-diplomat italian, ka qenë zyrtar i lartë në EEAS dhe aktualisht është Drejtor i Përgjithshëm i Komisionit Europian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Gjirit.
Cesare Jegretti, i treti i arrestuar, është bashkë-drejtor i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive dhe Projekteve në Kolegjin e Europës, raporton Politico.
Derisa tani nuk janë ngritur akuza zyrtare ndaj të arrestuarve. Hetuesi ka 48 orë kohë për të vendosur për veprime të mëtejshme, sipas një zyrtari tjetër të informuar mbi hetimin. Komisioni Europian ka refuzuar të bëjë koment.
Autoritetet belge po hetojnë Akademinë Europiane të Diplomacisë së BE-së, një program për diplomatë të rinj nga vendet e BE-së, që funksionon në Kolegjin e Europës. Mogherini është drejtuese e institucionit që nga gushti i vitit 2022.
Sipas EPPO-s, ekzistojnë “dyshime të forta” për shkelje të rregullave të konkurrencës kur EEAS i dha tenderin Kolegjit të Europës për krijimin e akademisë diplomatike. Hetimi fokusohet nëse Kolegji i Europës ishte njoftuar për kriteret e procesit të përzgjedhjes para publikimit zyrtar.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha për Politico se kontrollet lidhen me një hetim që kishte filluar para se Kaya Kallas, përfaqësuesja aktuale e lartë për politikën e jashtme të BE-së, të merrte detyrën.
Sipas një zyrtari anonim të EEAS, kontrolli u zhvillua në zyrat administrative të EEAS në Bruksel, në Rue d’Arlon 62, dhe jo në godinën kryesore në Sheshin Schuman. Policia kërkoi nga punonjësit të lëshonin ambientet dhe të linin dyert e zyrave të hapura, si dhe mobiljet e tyre.
Stefano Sannino ka mbi 30 vjet eksperiencë në diplomaci dhe politikë europiane. Ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i EEAS dhe si ambasador i Italisë në Spanjë.
Me studime në Universitetin Federico II të Napolit, Sannino hyri në shërbimin diplomatik italian në 1986. Në vitin 2002, iu bashkua Komisionit Europian si këshilltar për marrëdhënie të jashtme dhe tregti në ekipin e Romano Prodit, dhe më pas shërbeu si Drejtor për Menaxhimin e Krizave dhe si përfaqësues i Komisionit në Komitetin për Politikë dhe Siguri. Në 2006 u bë Këshilltar Diplomatik i Prodit si Kryeministër i Italisë.
Në vitin 2013 u emërua Përfaqësues i Përhershëm i Italisë në BE, dhe në janar 2020, u bë Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, duke luajtur një rol kyç në politikën e jashtme të BE-së deri në 2024. Më pas, u emërua Drejtor për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin (DG MENA).
Sannino është gjithashtu aktiv në mbështetje të komunitetit LGBT+. Ai ka deklaruar hapur se është homoseksual dhe i martuar me katalanasin Santiago Montragón Vial. Në 2016 mori çmimin Transexualia për angazhimin e tij në integrimin e personave trans në Spanjë, si dhe çmimin LGBT Andalucía për luftën kundër homofobisë. Në 2018 ngriti flamurin e ylberit në Ambasadën Italiane për Pride-in e Madridit.
Cesare Zegretti, me shtetësi italiane dhe belge, ka studiuar në LUISS të Romës dhe është bashkë-drejtor i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive, Edukimit dhe Projekteve në Kolegjin e Europës që nga janari 2022.
Ai u bashkua me Kolegjin e Europës në janar 2016 si Koordinator Projekti dhe ka përvojë në zhvillimin e biznesit, projektimin e projekteve dhe menaxhimin e programeve ndërkombëtare. Ai merret me politika bashkëpunimi ndërkombëtar, diplomacinë publike të BE-së dhe veprimet e jashtme.
Një nga projektet që ai mbikëqyr është European Resources for Mediation Support – ERMES, që ndihmon BE-në të mbështesë palët e treta në proceset e ndërmjetësimit dhe dialogut paqësor.
Para se të bashkohej me Kolegjin e Europës, Cesare Zegretti ka punuar për dy kompani europiane që ofronin shërbime për institucionet europiane dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë, si dhe për OJQ që menaxhon fushata për të drejtat e njeriut.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper, konfirmoi se policia kreu kontrolle në EEAS të martën si pjesë e një “hetimi në zhvillim për aktivitete të kryera gjatë mandatit të mëparshëm”, para rizgjedhjes së Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian në dhjetor 2024.
Megjithatë, zyrtarët e Komisionit nuk komentuan nëse ndonjë prej stafit të komisionit ishte arrestuar ose dhanë detaje shtesë për hetimin.
EPPO konfirmoi se kishte kërkuar heqjen e imunitetit që zakonisht i jepet diplomatëve, dhe kërkesa u pranua. Ende nuk është bërë e qartë se në cilat organe u parashtruan kërkesat.
Top Channel