Skandal i madh korrupsioni në Kiev/ Përgjimet zbulojnë një “sistem kriminal” që prekte kontrata miliona dollarëshe, njerëz të afërt me Zelenskyn nën hetim
Katër të vrarë nga sulmi rus në Dnipro, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës
Një sulm me raketa ruse goditi mëngjesin e së hënës qytetin lindor ukrainas Dnipro, duke lënë 4 të vdekur dhe rreth 40 të plagosur.
Sipas raportimeve ende të pakonfirmuara, Rusia mund të ketë përdorur një raketë balistike.
Pamjet nga vendngjarja treguan një shpërthim të madh pranë një autostrade, ndërsa ndërtesa zyrash, makina dhe dyqane u dëmtuan rëndë. Dnipro, rreth 100 km nga fronti, ka qenë objektiv i shpeshtë i sulmeve ruse që prej fillimit të pushtimit të plotë në vitin 2022.
Sulmi ndodhi vetëm një ditë para takimit të dërguarit të posaçëm amerikan Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, një tjetër përpjekje brenda raundit të ri të ndërmjetësimeve për t’i dhënë fund luftës. Witkoff nuk ka vizituar kurrë Kievin, por këtë fundjavë ai u takua në Florida me një delegacion ukrainas, sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Jared Kushner.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i cilësoi bisedimet “shumë konstruktive”, por pranoi se mbeten “çështje të vështira”, ashtu si Rubio i cili tha se “duhet bërë më shumë punë”.
Pavarësisht diplomacisë, qëndrimet mbeten të papajtueshme. Rusia kërkon që Ukraina të tërhiqet nga zonat e Donbasit që ende kontrollon, një kërkesë që Kievi e përjashton plotësisht.
“Nëse nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcë”, paralajmëroi Putin. Zelensky tha se Rusia “përçmon çdo përpjekje të vërtetë për t’i dhënë fund luftës”.
Një tjetër pikë e fortë përplasjeje janë garancitë e sigurisë. Ukraina kërkon mbështetje të fortë dhe perspektivë drejt NATO-s, por Rusia e kundërshton ashpër këtë, ndërsa Donald Trump ka deklaruar se nuk do të lejojë anëtarësimin e Ukrainës.
Zelensky mbërriti në Paris për të kërkuar mbështetje nga Emmanuel Macron dhe pritet të vizitojë Irlandën të martën. Ndërkohë, pas një skandali të brendshëm korrupsioni, shefi i stafit të tij Andriy Yermak dha dorëheqjen pas një bastisjeje në banesën e tij, edhe pse nuk është akuzuar për shkelje.
Trump, nga ana e tij, u shpreh se Ukraina ka “disa probleme të vogla të vështira”, duke iu referuar pikërisht skandalit që ka dobësuar pozitat e Kievit.
Që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, dhjetëra mijëra ushtarë dhe mijëra civilë janë vrarë, ndërsa mbi shtatë milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi.
Top Channel