Mësuesit ankohen për pagat, të diplomuarit para “procesit të Bolonjës” marrin 5 mijë lekë më pak: Diskriminim

01/12/2025 19:53

Rritja e pagave ka krijuar pakënaqësi në mospërfshirjen e barabartë të të gjithë arsimtarëve.

Mësuesit e diplomuar para procesit të Bolonjës marrin 5000 lek më pak se mësuesit e diplomuar pas tij. Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar me ndihmën e deputetes Ina Zhupa i kanë drejtuar Kuvendit një iniciativë për ndryshim ligjor, që t’i jepet fund diferencimit të arsimtarëve dhe të garantohet siguria juridike.

“Ligji 80/2015 kategorizon në mënyrë të padrejtë mësuesit që nuk i përkasin sistemit të Bolonjës. Ne kërkojmë të shtohet një pikë me përmbajtje “Personat e diplomuar në programe të përfunduar para përshtatjes së tyre sipas parimeve të procesit të Bolonjës, trajtohen nga ana administrative dhe financiare sipas nivelit të diplomës që kanë pasur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Është edhe çështje dinjiteti jo vetëm që merr më pak se mësuesit e tjerë, rreth 52 mijë lek më pak”, tha Alma Lama- Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar.

Mësuesja Alma Lama  vëren se po diskriminohen gati 1/3 e arsimtarëve parauniversitarë që kanë të njëjtin profesion e kryejnë të njëjtën punë me mësuesit që përfituan nga rritja e pagesës, por titullin e kanë fituar në kohë tjetër ku nuk njihej sistemi i Bolonjës.

“12 mijë mësues të prekur nga paga e grupit, një e drejtë e fituar që nuk ekziston më. Bëhet fjalë për mësuesit e klasave 1-5, të parashkollorit si dhe për mësuesit që kanë mbaruar master 60-90 kredite. Sistemi i Bolonjës është 3 vite bachelor dhe pastaj + 2 një master profesional në mësuesi, ndërsa para sistemit të Bolonjës tre vite të arsimit 1-5 ishte arsim i përfunduar, mësuesi merrte titull”, u shpreh Alma Lama- Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar.

Sindikata thekson se ky trajtim i privon këta mësues edhe nga avancimi në karrierë pasi arsimimi ju konsiderohet i papërfunduar me ekuivalentimin e diplomave të para hyrjes në fuqi të ligjit të arsimit të lartë 2015.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta