Maduro largohet nga vendi i tij pas ultimatumit të Trump? Presidenti i Venezuelës shuan dyshimet
Autoritetet në Hong Kong kanë arrestuar 13 persona të dyshuar për vrasje nga pakujdesia në lidhje me zjarrin tragjik të javës së kaluar, ndërsa zemërimi i banorëve po rritet për shkak të ndalimit të të paktën dy civilëve që kërkuan llogaridhënie nën ligjin e sigurisë kombëtare.
Të hënën, ekipet e emergjencës vazhduan kërkimet në shtatë kullat e kompleksit Wang Fuk Court në Tai Po, ditë pas zjarrit më të rëndë të qytetit në 75 vjet. Numri i viktimave u rrit në 151, ndërsa rreth 40 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Kompleksi, ku jetojnë rreth 5,000 banorë, kishte qenë prej kohësh në proces rinovimi – punime që dyshohen se lidhen ngushtë me shkakun e zjarrit. Pas tragjedisë, banorët kanë bërë publike ankesa të mëparshme për shkelje të sigurisë nga kompania ndërtuese dhe moszbatim të standardeve nga autoritetet, duke pretenduar se kishin ngritur shqetësime prej një viti.
Zyrtarët konfirmuan se Zyra Kundër Korrupsionit ka arrestuar 13 persona, përfshirë drejtorët dhe këshilltarin inxhinierik të kompanisë së ndërtimit të përfshirë, ndërsa hetimet “e plota” për vrasje nga pakujdesia tashmë kanë nisur.
Shefi i administratës së Hong Kongut, Eric Chan, deklaroi se 7 nga 20 mostrat e testuara të rrjetës së përdorur në skelat rreth kullave nuk plotësonin standardet kundër zjarrit. Ai tha se materialet jo të certifikuara ishin vendosur në zona të vështira për t’u inspektuar, duke e cilësuar këtë si një “akt të turpshëm”.
“Ata deshën vetëm të fitonin para duke rrezikuar jetët e njerëzve,” u shpreh Chan.
Ndërsa hetimet zbulojnë shkelje të shumta dhe paralajmërime të pazonja nga autoritetet në vitin e kaluar, banorët janë të irrituar që deri tani asnjë zyrtar publik nuk është mbajtur përgjegjës. Në vend të kësaj, policia e sigurisë kombëtare ka arrestuar dy civilë që kërkuan llogaridhënie.
Miles Kwan, një student i Hong Kongut, u arrestua të shtunën pasi publikoi një peticion online me “katër kërkesa”, duke përfshirë mbështetje të garantuar për viktimat dhe përgjegjësi për çdo zyrtar të korruptuar ose të përfshirë.
Mediat lokale raportuan se Kwan u akuzua për “qëllim nxitës” (seditious intention). Policia nuk e konfirmoi direkt, duke thënë se vepron “sipas rrethanave dhe ligjit”.
Kwan u pa duke lënë stacionin e policisë të hënën pasdite, raportoi AFP.
Mediat gjithashtu njoftuan arrestimin e Kenneth Cheung, ish-këshilltar i distriktit, të dielën në mbrëmje.
Top Channel