“Krishtin e kryqëzuar e pikturoi vetëm një herë në karrierë”, vepra e rrallë e piktorit flamand shitet për 2.3 milionë euro në Francë

01/12/2025 11:06

Një pikturë e humbur prej kohësh nga mjeshtri i barokut Peter Paul Rubens është shitur në ankand në Francë për 2.3 milionë euro.

Vepra, e Jezu Krishtit në kryq e pikturuar në vitin 1613, u zbulua nga ankandisti Jean-Pierre Osenat në një rezidencë në Paris vitin e kaluar, pasi ishte fshehur për më shumë se katër shekuj.

Osenat, shtëpia e ankandeve e të cilit e shiti pikturën të dielën kundrejt një çmimi të pritur prej 1-2 milionë eurosh, e gjeti atë ndërsa po përgatiste pronën për shitje.

Ai tha më parë këtë vit se piktura ishte “një kryevepër” që u pikturua nga Rubens kur mjeshtri flamand i shekullit të 17-të ishte “në kulmin e talentit të tij”.

Çmimi total u rrit në 2.94 milionë euro pas tarifave, përfshirë në çmim të blerësit.

Shtëpia e ankandeve tha në materialin e saj promovues se shumë pak dihej për pikturën, vetëm se një koleg i Rubens kishte bërë një gravurë të saj. Historianët e mëvonshëm e përshkruan këtë gravurë dhe pavarësisht se nuk e kishin parë kurrë pikturën, e kataloguan ekzistencën e saj.

Ajo u ble nga një piktor akademik francez i shekullit të 19-të, William-Adolphe Bouguereau, dhe u trashëgua nga familja e tij, sipas shtëpisë së ankandit. Piktura u vërtetua nga historiani gjerman i artit Nils Büttner, i njohur për kërkimin e tij mbi mjeshtrin e barokut flamand, tha Osenat.

Büttner tha para ankandit se Rubens shpesh pikturonte kryqëzime, por rrallë e pikturonte “Krishtin e kryqëzuar si një trup të vdekur në kryq”.

“Pra, kjo është e vetmja pikturë që tregon gjak dhe ujë që del nga plaga anësore e Krishtit, dhe kjo është diçka që Rubens e pikturoi vetëm një herë”, tha ai.

Osenat tha se prejardhja e saj u certifikua përmes metodave të avancuara duke përfshirë imazhe me rreze X dhe analizën e pigmentit.

“Është fillimi i pikturës baroke, që përshkruan Krishtin e kryqëzuar, të izoluar, të ndritshëm dhe që qëndron gjallërisht në sfondin e një qielli të errët dhe kërcënues”, tha Osenat.

Rubens krijoi shumë vepra për Kishën, por kjo e fundit me përmasa 105.5 me 72.5 cm, ka të ngjarë të jetë krijuar për një koleksionist privat.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta