Krimet e luftës të SAS-it, ish-zyrtarët e Forcave Speciale të Britanisë akuzohen për fshehjen e provave

01/12/2025 17:28

Dy ish-drejtorë të Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar kanë fshehur prova që sugjeronin krime të mundshme lufte të kryera nga SAS në Afganistan, sipas dëshmisë së një ish-oficeri të lartë të identifikuar si N1466 para Hetimit të Pavarur për Afganistanin.

N1466 deklaroi se në vitin 2011 ia kishte paraqitur drejtorit të atëhershëm të forcave speciale dokumentet që ai i konsideroi “shpërthyese”, pasi sugjeronin “sjellje kriminale” të njësive të SAS-it.

Sipas tij, as ky drejtor dhe as pasuesi i tij në vitin 2012 nuk informuan Policinë Ushtarake Mbretërore (RMP), edhe pse ligji britanik kërkon njoftimin e menjëhershëm për çdo dyshim mbi vepra të rënda penale të kryera nga personeli nën komandë.

Hetimi publik po shqyrton akuzat se SAS vrau të burgosur dhe civilë të paarmatosur, përfshirë fëmijë, gjatë operacioneve natën në Afganistan. Raportimi i BBC Panorama në vitin 2022 kishte zbuluar se 54 burra të paarmatosur u vranë gjatë një turneu gjashtëmujor, në rrethana që konsiderohen të dyshimta.

N1466 thotë se dyshimet e tij nisën në shkurt të vitit 2011, kur raportet operative tregonin një numër të jashtëzakonshëm vrasjesh me shumë pak armë të rikuperuara, një disproporcion që ngriti dyshime të forta për ekzekutime të qëllimshme.

Në një bastisje ku u vranë nëntë afganë dhe u gjetën vetëm tre armë, hetimet e mëvonshme të BBC-së gjetën vrima plumbash afër dyshemesë, që ekspertët e armëve i interpretuan si shenjë të të shtënave ndaj personave të shtrirë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta