Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për sektorin e ndërtimit, një instrument që synon të shërbejë si referencë për pagat reale të profesionistëve në këtë industri dhe të mbështesë përpjekjet për reduktimin e informalitetit.
Në një njoftim në rrjetet sociale Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur se kjo masë po ndërmerret në kuadër të rritjes së pagesës së sigurimeve shoqërore.
“Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori se do të analizohen pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesat e këtij sektori.
Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahasues pagat indikative të profesioneve në sektorin e ndërtimit sipas tabelës bashkëlidhur këtij njoftimi.”, thotë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Në këtë sektor nuk do të ketë paga nën 60 mijë lekë. Konkretisht sipas lsitës së publikuar pagat do të vijojnë nga 60 mijë lekë sanitarët, 80 mijë lekë riparuesit, punëtorët duralumin, punëtor llaci, magazinierët, 95 mijë lekë specialist. Mbi 110 mijë lekë inxhinierët, arkitektët 120 mijë lekë dhe paga me alrtë 140 mijë lekë administratorët.
“Çdo tatimpagues që pagën e punonjësit të tij të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, dhe që ndryshon profesionin me qëllim kategorizimin në pagën më të vogël do të konsiderohet me risk dhe do të jetë objekt kontrolli nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.”, thuhet më tej.
Qasja e re synon të forcojë integritetin fiskal dhe social të sektorit, të rrisë mbrojtjen e punonjësve dhe të garantojë kushte më të barabarta konkurruese mes ndërmarrjeve.
Top Channel