I dërguari i SHBA-së pritet të takojë Putinin, Zelensky: Çështja territoriale mbetet më e vështira
Në një atmosferë të mbushur me emocione dhe krenari, në Londër u mbajt eventi “The Bridge of Unity” (Ura e Bashkimit), e cila bëri bashkë qindra përfaqësues të diasporës nga Hasi, duke festuar ngjarjet historike të Nëntorit.
Takimi, i organizuarnga Ilir Nabolli, Mentor Bokçiu, Misin Dajçi, Ermal Karakushi, Alfred Ferizolli, Fatmir Kastrati dhe Petrit Kabashi, kishte qëllim lidhjet komunitare dhe vullnetin për nisma konkrete.
Në fjalën e tij hapëse, Z. Shefqet Kraja theksoi rëndësinë e 28 Nëntorit si një datë simbolike që përmbledh tre ngjarje themelore të identitetit tonë: ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu , shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e dëshmorit Adem Jashari. Mbrëmja, e moderuar nga Merita Isufi dhe Sokol Cahani, filloi me Himnin e Flamurit.
Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Z. Uran Ferizi, theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për forcimin e lidhjeve të diasporës. Ambasadori i Kosovës, Z. Ilir Kapiti, dha vlerësimet për iniciativën që bashkoi hasjanët. Kryetari i Bashkisë Has, Z. Miftar Dauti, vuri theksin në kontributin që komuniteti hasjan në Londër i jep vazhdimisht atdheut.
Edmir Dida e përshkroi takimin si një kthim në odën e vjetër familjare, ku “Kur njerëzit mblidhen me zemër, edhe guri merr dritë”. Ai vuri në pah se prania masive është dëshmi e shpirtit të fortë dhe dëshirës për unitet. Duke e quajtur arsimin themelin e çdo shoqërie të fortë, Dida tregoi me shembuj konkret se si diaspora vepron: nga ofrimi i një burse të plotë për një nxënës nga Hasi, tek ndihma për pajisjet sportive të skuadrës hasjane apo ndihma monetare për një familje nga Hasi. “Kur gjërat bëhen nga zemra, ato kthehen në kënaqësi,” theksoi ai.
Ervin Mulaj bëri një kthim në kohë, duke kujtuar rrugëtimin e mërgimit të hasjanëve para një çerek shekulli. Mulaj dha edhe një lajm të rëndësishëm: krijimin e një Fondi Emergjence për të ndihmuar anëtarët e komunitetit si në diasporë ashtu edhe në vendlindje, në momentet më të vështira.
Misin Dajçi, një tjetër anëtar, e përcaktoi takimin si një “deklaratë vendosmërie” për një bashkësi më të fortë. Dajçi shpalli projektin për pajisjen e personave me aftësi të kufizuara me karrige lëvizëse, duke e bërë transparencën një nga shtyllat kryesore të punës së diasporës.
Publiku shijoi recitimin e poetit të mirënjohur hasjan Servet Bytyçi, i cili dhuroi emocione.
Nën drejtimin e koordinatoreve Adelina Morina dhe Alketa Bukciu, fëmijët u argëtuan në një festë artistike të përqendruar në dashurinë për Atdhe, Flamurin dhe gjuhën shqipe.
Ndërkohë, ftuari special, futbollisti i kombëtares U17 dhe i Tottenham FC, Armend Muslika, ndau me të rinjtë përvojën e tij frymëzuese. Gjatë mbrëmjes kulturore, publiku u njoh me një spektakël të pasur artistik, ku u paraqitën disa nga talentet më të shquara të diasporës hasjane.
Performanca e përgatitur nga dy anëtarët e talentuar Mustaf Ahmati dhe Sokol Laçi, shtoi më tej atmosferën, ku u shfaqën me mjeshtëri instrumentet dhe zërat tradicionalë: Në organe Bylbyl Ahmati. Këngët me çifteli dhe sharki u interpretuan nga Gezim Morina, Ylli Shuti dhe Egzon Dida. Ritmet e fuqishme të çurlës dhe tupanës u sollën nga Lulzim Brati, Nebi Lusha dhe Besmir Fazlia. Zërat solistë ishin Sokol Laçi, Qamil Ngjeçi, Alfred Mariqi dhe Ismail Quni. Skenës iu bashkuan edhe artistët Përparim Brati, Egzon Dida dhe Ylli Shuti.
Top Channel