Kupa e Pavarësisë mbetet në Kosovë, ekipet nga Ferizaj, fituan ndaj Pogradecit për femra dhe ndaj Pejës për meshkuj
Bota e tenisit mban zi pas ndarjes nga jeta të Nicola Pietrangelit, një prej figurave më të mëdha që sporti italian ka njohur ndonjëherë.
Ai u shua sot në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme sportive.
Pietrangeli ishte italiani i vetëm i pranuar në Sallën e Famës së Tenisit Botëror dhe lojtari i parë italian që fitoi një Grand Slam. Ai triumfoi dy herë në Roland Garros, në vitet 1959 dhe 1960, periudhë kur u rendit i treti në botë. Në karrierën e tij fitoi gjithsej 48 tituj, mes të cilëve edhe dy herë Italian Open, si dhe medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare Napoli 1963 dhe medaljen e bronztë në dyshe.
Në vitin 1968, ai siguroi një tjetër medalje të bronztë në turneun ekspozues të tenisit në Lojërat Olimpike të Qytetit të Meksikës.
Pietrangeli mban ende rekordin botëror në Kupën Davis për numrin total të ndeshjeve të luajtura (164), si dhe për ndeshjet e fituara në teke (78) dhe në dyshe (42). Partneriteti i tij me Orlando Sirolan konsiderohet më i suksesshmi në historinë e kompeticionit, me 34 fitore në 42 ndeshje. Në vitin 1976, ai ngriti trofeun e Kupës Davis si kapiten i Italisë.
Karriera e tij e jashtëzakonshme shoqërohej nga një karakter i drejtpërdrejtë dhe shpesh plot humor. “Nëse do të kisha stërvitur më shumë, do të kisha fituar më shumë, por do ta kisha shijuar më pak,” thoshte shpesh.
Përtej suksesit sportiv, vitet e fundit u shënuan nga një dhimbje e madhe personale: vdekja e djalit të tij të vogël, Giorgio, një humbje që e goditi thellë. “Do të kishte qenë e drejtë për mua të largohesha, jo e kundërta,” tha ai në një intervistë për Corriere della Sera.
Ai gjithashtu shprehte shpesh dëshirën që funeralin e tij ta shihte në stadiumin që mban emrin e tij në Foro Italico: “Tre mijë vende,” thoshte me ironi të hidhur.
Top Channel