Mbledhja e kabinetit qeveritar në Ankara, Erdogan: Anëtarësimi në BE, prioritet strategjik për Turqinë
Rahmanullah Lakanwal, i akuzuar për vrasjen e një anëtareje të Gardës Kombëtare dhe plagosjen e rëndë të një tjetri në Uashington DC, kishte kaluar javë të tëra i izoluar në një dhomë të errët dhe kishte shfaqur episode të mundshme maniake shumë përpara sulmit, kjo sipas e-maileve të vitit 2024 nga një punonjës rasti që ndihmoi familjen e tij pas mbërritjes nga Afganistani.c
29-vjeçari, i cili hyri në SHBA në vitin 2021 përmes programit “Operacioni Mirëseardhje për Aleatët”, akuzohet për një pritë që vrau Sarah Beckstrom, 20 vjeç, dhe plagosi rëndë Andrew Wolfe, 24 vjeç. Ai u qëllua gjatë incidentit dhe ndodhet në spital, ndërsa përballet me akuza për vrasje.
E-mailet e siguruar nga CBS News tregojnë se Lakanwal kishte një vit pa punë, izolim ekstrem brenda shtëpisë dhe vështirësi serioze të komunikimit me familjen.
Punonjësi i rastit raportoi se ai shpesh kalonte javë të tëra në një dhomë të errët pa folur me askënd, dhe se kishte periudha me “episode maniake” ku largohej me makinën e familjes. Familja rrezikonte dëbimin nga banesa për shkak të vështirësive ekonomike.
Zyrtarët amerikanë thonë se motivi i sulmit mbetet i paqartë. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem deklaroi se zyrtarët besojnë se Lakanwal “u radikalizua” pasi mbërriti në SHBA, ndonëse detajet e këtyre lidhjeve nuk janë bërë publike.
Lakanwal kishte punuar me forcat amerikane në Afganistan dhe ishte pjesë e një “Njësie Zero”, një grup inteligjence dhe paraushtarak që bashkëpunonte me CIA-n, fakt i konfirmuar nga ish-pjesëtarë të forcave afgane dhe nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe. Ai aplikoi për azil në vitin 2024 dhe kërkesa u miratua në fillim të këtij viti.
Një mik i fëmijërisë i tha New York Times se Lakanwal kishte përjetuar probleme të shëndetit mendor që pas shërbimit të tij në Afganistan.
Top Channel