Nga Ylli Aga

Kategoria Superiore në edicionin e saj të ri, mund të veçohet për shumë element, si rivalitetin e theksuar, konfirmuar me diferencat minimale në kreun e renditjes, numrin e lartë të futbollistëve të huaj, apo gabimet e zakonshme të arbitrave, por një e dhënë që është më sinjifikative është numri i pakët i golave. 123 gola të shënuar në 65 ndeshjet e luajtura dhe mesatarja 1.89 gola për ndeshje, krahasuar me të gjitha ligat elitare ne kontinent, Kategorinë Superiore mund të themi që është kampionatin më shterpë të Europës. Vendi i parafundit në renditje është ai i Bosnia-Herzegovinës me gati 2.2 gola për ndeshje. Arsyet për këtë varfëri golash dhe rrjedhimisht mungesë emocionesh, mund të jenë të shumta, por më të rëndësishmet duhet të jenë:

Përmisimi i skuadrave në fazën mbrojtëse

Treguar në mënyrë të thjeshtuar, futbolli njeh dy faza “lojën me top” dhe “lojën pa top”. Nëse organizimi i lojës me top ose i fazës sulmuese është më i komplikuar, pasi kërkon përgatitje të gjithëanshme dhe lojtarët e duhur, në lojën pa top ose në fazën mbrojtëse detyrat janë më të thjeshta. Në ndeshjet e kampionatit tonë dallohet lehtësisht mbrojtja e skuadrave në bllok, vendosje poshtë linjës së topit, duele të forta një kundër një dhe veçanërisht shndërrimi i portierëve në profilin e lojtarit më të mirë të shumicës së skuadrave, duke veçuar Dajsinanin e Egnatias, Janacek i Elbasanit, Selmani i Teutës, Teqja i Dinamos dhe disa të tjerë.

Mungesa e goleadorëve

Jo vetëm rrjedhojë e thjeshtë e një llogjike matematike, përsa i takon numrit të pakët të golave, mungesa e goleadorëve është gjithashtu një element që dallohet edhe nga dikush që e ndjek jo rregullisht futbollin tonë. Përjashtuar Bekim Balajn, për statusin dhe rolin e tij tek Vllaznia, pak kush mund të mbajë mend “nr 9” të skuadrave të tjera. Në mungesë të këtij profili futbollisti, apo dhe të tjerëve që duhet të sulmojnë në krahë apo bëjnë rolin e fanatazistin, të atyre që janë të aftë të driblojnë në situata një kundër një, gjetja e golit bëhet një detyrë edhe më e vështirë.

Loja e pakët efektive

Ndeshjet e kampionatit tonë, ose më saktë shumica e tyre, bëhen të mërzitshme nga ndërprerjet vend e pa vend të lojës. Afro 40 faulla për cdo ndeshje, vonesa të qëllimshme për rinisjen e lojës, apo deri tek “shejtan-budallalleku” për të fshehur topat e lojës apo duke i hedhur nga dy-tre njëkohësisht për të detyruar arbitrin të ndalë vazhdimin e aksioneve, bëjnë që në fund të çdo ndeshje minutazhi i lojës efektive të jetë në shifra alarmarte. Dhe rrjedhimisht më pak futboll i luajtur, nënkupton më pak mundësi për aksione dhe gola të shënuar.

Shifra minimale te golave nga situata standarte

Një gol i shënuar nga Egnatia ndaj Vllaznisë në barazimin 2-2 për javën e 10-të nëpërmjet një skeme të përgatitur për goditjet e dënimit bëri xhiron e rrjeteve sociale të botës. Dhe jo rastësisht, sepse të tilla ekzekutime janë të pëlqyera dhe të punuara deri në detajet më të imëta. Për fat të keq edhe në këtë element loje kampionati ynë është defiçitarë. Në shifrën e 123 golave të deritanishëm, 31 prej tyre janë shënuar nga situata standarte, ku një përqindje të madhe e zënë penalltite, plot 19. Në këtë mënyrë, golat e shënuar nga situata standarte si goditje këndi apo dënimi në kufinjtë e zonës është vetëm 12. Një shifër shumë e ulët dhe tregues kuptimplotë i punës së pakët që bëjnë skuadrat tona për këtë element loje, që po merr nje rol deçiziv në futbollin modern.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta