Krijimet e kompozitorëve më të njohur shqiptarë gjallëruan skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në një mbrëmje kushtuar festave kuqezi, orkestra e teatrit dhe orkestra e RTSH-së riktheu tingujt e jashtëzakonshëm të filmave shqiptarë, nga Nëntori i Dytë, Skënderbeu, Dimri i Fundit, Gjeneral Gramafoni, Liri a vdekje apo Në shtëpinë tonë.
“Të gjitha forcat bashkohen kur muzika flet më shumë se gjithçka tjetër. Sot foli fort nëpërmjet tingujve të kompozitorëve, që i kanë dedikuar jetën krijimtarisë”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Aulon Naçi.
“Ne dalim gjithmonë në skenë, por të luash vepra që të gjithë njerëzit i këndojnë kudo është përgjegjësi e madhe”, u shpreh Elron Katroshi klarinetë e parë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
“Pashë njerëz të prekur në sallë, njerëz që e mirëpritën këtë shfaqje me filmat më të bukur dhe muzikën më të mirë të filmave”, tha përgjegjëse e marketingut, Arta Haxhui.
Përmes kolonave zanore që na sjellin shumë kujtime, ky koncert festiv ishte dhe një homazh për kolosët Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Limoz Dizdari, Zef Çoba e Aleksandër Peçi.
“Ka filma që mbahen për të bukur më shumë nga muzika. Është fat që filmi shqiptar ka pasur kolosë dhe është fat i këtyre kompozitorëve që kanë bërë muzikë të mrekullueshme që nuk i është prekur. Ata kanë qenë të lirë dhe kanë qenë larg vërejtjeve dhe shkurtimeve që pësonte figura apo zëri”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku
Për rreth dy orë, publiku udhëtoi pas në kohë, drejt kujtimeve të fëmijërisë përmes momenteve ikonike të filmave shqiptarë.
“U kënaqëm, shumë nostalgji, ata artistë nuk vijnë më”, shprehet një spektatore.
“Na çoi shumë vite pas… kompozitorë të jashtëzakonshëm, e shijuam shumë”, thotë dikush tjetër.
Top Channel