Drita fiton derbin shqiptar të Europës, kampionët e Kosovës mundin Shkëndijën në Conference League
Derbi shqiptar mes Dritës dhe Shkëndijës në Conference League nuk solli vetëm emocion sportiv, por edhe një moment të veçantë me ngarkesë të fortë patriotike dhe simbolike.
Tifozët e Shkëndijës, Ballistët e Tetovës, shpalosën në tribunat e stadiumit në Prishtinë një banderolë prekëse kushtuar dëshmorit Mujdin Aliu.
“Sa herë të jetë nevoja, vëllezërit e Mujdinit vijnë nga Tetova”, ishte mesazhi i përcjellë, duke rikujtuar figurën e luftëtarit të shquar të UÇK-së, i cili dha jetën për lirinë e Kosovës.
Mujdin Aliu, i lindur më 15 janar 1974 pranë Tetovës, ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u dallua veçanërisht në Betejën e Koshares, një nga përplasjet më të rëndësishme të luftës. Ai ra dëshmor më 14 prill 1999, duke u shndërruar në simbol të sakrificës dhe bashkimit mbarëkombëtar.
Banderola e shfaqur nga Ballistët u prit me respekt dhe emocion nga tifozët në stadium, duke e kthyer ndeshjen jo vetëm në një përballje sportive, por edhe në një moment reflektimi dhe nderimi për ata që dhanë jetën për liri.
Top Channel