Debate në Komisionin për Reformën Territoriale, përplasje mes dy bashkëkryetarëve/ Mazniku: Mos diskutoni tani për numrin e bashkive. Boçi: Reforma ka dështuar

27/11/2025 13:39

Ditën e sotme është mbledhur Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, ku këtë herë ishte prezente Partia Demokratike, pas bojkotit që bëri mbledhjen e kaluar.

Bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi, por menjëherë pas tij edhe anëtarja Jorida Tabaku, nuk kursyen komentet kritikuese rreth këtij Komisioni.

“Pas disa viteve do mblidhemi përsëri, për të bërë reformën e reformës që reformoi reformën e reformës së dështuar”, u shpreh Boçi.

Pas kësaj ka ardhur menjëherë reagimi i bashkëkryetarit socialist, Arbjan Mazniku, i cili iu kundërpërgjigj, duke theksuar se fokusi duhet të jetë tek mundësitë e bashkive.

“Besoj të ulemi e të bëjmë një analizë të qenësishme, të bazuar në fakte e numra, jo në opinione publike, mbi efektivitetin e reformës. Sigurisht, ne kemi ndryshime politike, por faktet janë fakte dhe numrat janë numra. Diskutimi politik për fat të keq është… Jemi në një proces shumë aktiv në nivel qendror për integrimin në BE, paralelisht na duhet një proces intensiv edhe në nivel lokal që bashkitë të jenë të forta e të afta të funksionojnë në nivel europian, të bëjnë projekte të tërheqin fonde.

Çështja që na duhen më shumë bashki që të fitojmë më shumë bashki e kthen çështjen nga çështje e ofrimit të shërbimit të qytetarëve në çështje elektorale. Unë mendoj ta lëmë këtë çështje për fund. Të mos merremi sot me çështjen e numrit, por të merremi me kompetencat dhe mundësitë që kanë bashkitë për të kryer këto kompetenca, dhe kjo lidhet me financat dhe burimet njerëzore për të kryer këto kompetenca”, tha Mazniku.

Por Boçi reagoi sërish duke u shprehur se bashkitë nuk kanë pavarësi ekonomike, por presin nga buxheti që do t’i përcaktojë shteti.

“Në qoftë se situata do ishte kaq e lumtur siç e përshkruat ju sot nuk kishim komision për reformën territoriale por do kishte duartrokitje. Jemi këtu sepse kjo reformë ka dështuar. Bashkitë nuk kanë pavarësi financiare, ky është realiteti. Sot Bashkitë i kanë sytë tek buxheti që jep qeveria”, tha ai.

Më pas, anëtarja demokrate, Jorida Tabaku, u shpreh se reforma e vitit 2015 ishte e mangët, teksa shtoi se ishte e njëanshme.

Fakti që jemi mbledhur këtu tregon se së pari reforma e parë e 2015 ishte e mangët, por u nis nga llogaria elektorale, dhe këto nuk prodhojnë ndarjen më të mirë dhe reflektojnë që kërkon qytetari. E kemi parë që shërbimet lokale janë larg qytetarëve. Reforma që sot po diskutojmë ka qenë e njëanshme”, tha Tabaku.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta