Bernardo Silva, fjalë lamtumire: I përqendruar te sezoni im i fundit te Manchester City
Mbrëmjen e së dielës është rezervuar të luhet supersfida mes Romës dhe Napolit, një përballje që ka shumë histori, por edhe ajo mes dy skuadrave kryesuese të kampionatit aktual teksa janë përfshirë në një garë për titullin kampione.
Ka ndodhur në disa raste, sidomos në vitet ’80 që këto dy skuadra të kenë rivalizuar fort për triumfin e madh në kampionatin italian. Pikërisht në kampionatin e parë të kësaj dekade, ka qenë një garë spektakolare mes 3 skuadrave për titullin në Serie A që u vendos vetëm në javën e fundit. Në atë kohë përvec verdhekuqve dhe Të Kaltërve ishte dhe Juventus që në fund triumfoi dhe ishte pikërisht në vitin 1981. Dhe ndoshta ka ardhur momenti të kujtohen disa prej sfidave më domëthënëse duke nisur pikërisht nga ai sezon
Roma-Napoli 1-1, 8 mars 1981
Java e 20 e kampionatit 1980-81. Në garë ishin Roma, Napoli e Juventus që ndaheshin nga shumë pak pikë mes tyre në krye të klasifikimit. Ai i Olimpico ishte dueli i madh i kampionatit, ndërsa bardhezinjtë prisnin Ascolin duke i mposhtur 3-0. Verdhekuqtë morën avantazhin me Pruzzo, miqtë barazuan me Speggiorin. Karakteristika e ndeshjes, ishte lëvizja e Liedholm, trajnerit të Romës që vendosi markim një për një ndaj Ruud Krol me qendërsulmuesin Pruzzo në mënyrë që të bllokonte që në start aksionet e skuadrës kundërshtare
Roma-Napoli 5-2, 20 shkurt 1983
Këtë radhë ata që luftonin për titullin ishin verdhekuqtë që e fituan pas një dueli me Juventusin, ndërsa napoli ishte në krizë totale sa shkarkoi trajnerin Giacomini për të rinisur gjithçka me Pesaola. Në atë ndeshje, për një pjesë të lojës, Napoli arriti të bllokojë Romën e Falcao, Conti, Pruzzo, Ancelotti, Vierchoëod, Di Bartolomei e kështu me radhë. Pesaola, në mënyrë surprizë hodhi në fushë 3 sulmues (Vagheggi, Diaz e Pellegrini) dhe një mesfushor ofensiv si Criscimanni e madje mori avantazhin me golin e Diaz. Por më pas Roma tregoi forcën e saj si në aspektin kolektiv ashtu edhe atë individual për të fituar këtë sfidë me rezultatin 5-2 duke iu afruar titullit të dytë kampion në historinë e saj
Roma-Napoli 2-0, 26 janar 1986
Të zotët e shtëpisë ishin plotësisht në garë për titullin bashkë me Juventusin. U mbyll epoka e Liedholm dhe nisi ajo e Eriksson me Romën që i gllabëronte pikë skuadrës bardhezi që ishte në krye të klasifikimit. Falë një futbolli agresiv, kolektiv dhe vertikal me vetëm një qendërsulmues, Pruzzo dhe një sërë mesfushorësh gati të hynin në sulm (Boniek, Di Carlo, Conti dhe Cerezo), verdhekuqtë mposhtën skuadrën e Bianchit dhe Maradonës me golat e Gerolin dhe Boniek, me Napolin që u kundërpërgjigj vitin pasardhës. Më pas Lecce shoi në momentin më të mirë ëndrrat për titull të Romës
Roma-Napoli 0-1, 26 tetor 1986
Këtë herë ishte skuadra mike që festoi dhe e bëri në sezonin legjendar të titullit të parë në historinë e Napolit. Bruno Giordano dhuroi dhe Diego Armando Maradona stopoi topin në mes të zonës për të mposhtur Tancredin. Ishte kjo një ndër fitoret e shumta të rëndësishme të atij viti të paharruar
Roma-Napoli 1-1, 25 tetor 1987
Një vit më pas, Napoli kampion kishte në radhët e tij edhe Careca dhe po fluturonte drejt titullit të dytë radhazi. Roma u kthye te Liedholm, por nuk ishte më ajo që mund të synonte majën. E megjithatë kaloi në avantazh me të zakonshmin Pruzzo. Napoli mbeti me 9 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Renica dhe Careca, por gjithsesi arriti të barazojë rezultatin me Francinin. Në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, lojtarët treguan se gjatë javës, trajneri i tyre Ottavio Bianchi përgatiste situata të tilla për të qenë i përgatitur për emergjenca si ajo e Olimpicos, që tregon se trajneri lombard ishte shumë i nënvlerësuar në historinë e futbollit italian. Megjithatë titulli në atë sezon shkoi drejt Milanos, pikërisht te Milani, për shkak edhe të rënies së rendimentit të Napolit në ndeshjet e fundit
Roma-Napoli 1-1, 8 tetor 1989
Roma, e drejtuar nga Radice, ishte në një fazë ‘pezull’ ndërsa Napoli që ishte nën drejtimin e Bigon, ia doli të fitonte titullin e dytë në histori. Napoli ishte një skuadër me shumë muskuj në mesfushë me Alemaon, De Napolin e Crippan, ndërkohë që përpara kishte një sulm yjesh me Maradonën që mbështetej nga Careca dhe Carnevale. Kjo ndeshje u luajt në Flaminio sepse Olimpico po ristrukturohej për Botërorin e vitit 1990. Verdhekuqtë morën avantazhin me Comi, por Maradona me penallti barazoi dhe në fund fitoi edhe titullin e dytë që ishte edhe gëzimi i fundit i vërtetë për ‘El Pibe De Oro’.
Top Channel