Sezoni i parë i Lewis me Ferrarin jo vetëm që nuk ishte një ëndërr, por, sipas vetë britanikut, më i keqi i karrierës së tij!

Shtatë herë kampioni i botës, i cili ka garuar në Formula 1 që nga viti 2007, ka shumë të ngjarë të përfundojë një sezon pa mbyllur një garë në podium, për herë të parë në karrierën e tij.

Duke shkuar në Las Vegas, Ferrari dhe Hamilton kishin shpresa të mëdha se pista do t’i përshtatej karakteristikave të SF-25 të këtij viti. Megjithatë, gara tre-ditore e Lewis u prish në kualifikime, me britanikun që përfundoi në vendin e fundit! Kjo ndodhi pasi nuk arriti t’i çonte gomat në temperaturën e duhur për t’i marrë maksimumin, ashtu edhe për shkak të një gabimi në bokse, i cili nuk e informoi në kohë se mund të përfundonte një tjetër xhiro të shpejtë në Q1.

Në garë, Hamilton bëri një nisje të shkëlqyer dhe ngiste pa gabime për të përfunduar i 10-ti. Disa orë më vonë, pasi McLaren-at u pezulluan, vendi i 10-të u bë i 8-ti. Pavarësisht kësaj, Hamilton nuk ishte aspak i lumtur.

“Ndihem tmerrësisht keq”, tha ai për  Sky Sports F1  menjëherë pas garës. “Është sezoni më i keq ndonjëherë dhe pavarësisht se sa shumë përpiqem, thjesht përkeqësohet. Po provoj gjithçka brenda dhe jashtë makinës”, vuri në dukje britaniku. Kur u pyet nga gazetarët, ai më vonë këmbënguli se nuk mori asnjë “kënaqësi nga gara dhe këmbënguli se nuk kishte asgjë positive që mund të veçonte. “Nuk e di as sa pikë kemi, por me këtë ritëm, me performancën time, kemi mbaruar”, theksoi ai në lidhje me faktin nëse Ferrari mund të zërë vendin e dytë në kampionatin e konstruktorëve.

Së fundmi, në një deklaratë në kanalin zyrtar të F1, ai e përshkroi udhëtimin e tij tre-ditor në Vegas si të tmerrshëm. “Një tjetër në listë”, komentoi Hamilton. Çfarë do të thotë presidenti Elkann, i cili beson se gjithçka shkon shumë mire në ekipin e tij dhe janë pilotët ata që flasin më tepër seç duhet?!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta