Ishin akuzuar për korrupsion nga SPAK, GJKKO nis gjykimin për kryetaren në detyrë të bashkisë Tropojë dhe ndërtuesin që përfitonte tenderat

26/11/2025 10:16

GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për të nisur gjykimin për kryetaren në detyrë të bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj si dhe për ndërtuesin Rrok Gega.

Sipas njoftimit të SPAK, bëhet me dije se Islamaj është përpjekur që nëpërmjet një tenderi të hapur të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj.

SPAK njofton gjithashtu se Islamaj po planifikonte të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për të ndihmuar ndërtuesin.

Njoftimi i plotë i SPAK:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 29.09.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale me nr. 15/2026, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”.

2. Në seancën e datës 25.11.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, bazuar në nenet 112, 332/dh, pika 1, gërma “a”, 332/ë, 332/gj, pika 1 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 149, datë 25.11.2025, vendosi:

I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.15, viti 2025 në ngarkim të të pandehurve:

1. Rrok Gega, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

2. Zyra Islamaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal.

II. Dërgimin e çështjes për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me tjetër trup gjykues.

III. Fashikulli i gjykimit do të përmbajë të gjitha aktet e hetimit paraprak, të përfshira në 1 volum hetimor (përveç deklarimeve të shtetasve të pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes).

IV. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta