Inside Story/ “Omonia” u bëri thirrje të deklarohen grekë, si u rrudh me 3,5 herë popullsia vllehe në 1 dekadë

26/11/2025 21:13

“Nga kombet fqinje, vetëm një kemi mik, i cili kupton të mirën dhe e di që pa ne s’mund të mbahet. Ky komb janë vllehët, që rrojnë në Shqipëri e afër Shqipërisë. Grekërit kanë bërë dhe po bëjnë me vllehët, atë që kanë bërë me ne shqiptarët, domethënë po përpiqen që ti bëjnë grekë me shkollat dhe kishat e tyre”.

Ky citat i shkëputur nga “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”,, shkruar nga rilindasi Sami Frashëri, botuar në Bukuresht në vitin 1899, mbetet aktual dhe pas më shumë se një shekulli.

Në një kohë kur shtetet luftojnë për aspiratat e tyre drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe shkrirjes së kufijve në një aleancë të përbashkët, nën rrogoz punohet për aspiratat e vjetra për rritjen e numrit artificialë të banorëve, e deri te pretendimet territoriale që vijnë si pasojë e kësaj politike.

Mendësia ballkanike dominon dhe mbetet ende një faktor i rëndësishëm. Ndonjëherë, del dhe jashtë kontrollit duke dalë hapur, pavarësisht kamuflimeve të rastit.

Për të kuptuar situatën e vllehëve në vendin tonë mjafton të shohësh se në censusin e fundit, të bërë në vitin 2023, si vllehë u deklaruan vetëm 2 459 persona.

Një shifër shumë e ulët duke ditur kontributin e madh që kanë pasur në historinë e Shqipërisë dhe bashkëjetesën me popullin tonë ndër shekuj.

Në censusin e vitit 2011, në Shqipëri deklaroheshin 8 266 persona si arumunë. Duke marrë në konsideratë dhe faktorin natyror, një rrjedhje e tij është shumë e madhe, prandaj dhe vetë anëtarët e komunitet vlleh nuk e pranojnë.

Ata besojnë se nuk ka qenë i saktë dhe ka pasur një dashakeqësi në uljen artificiale të numrave. Madje, hulumtimi ynë bazuar në informacionet e strukturave zyrtare flet për interferenca të vendeve të tjera me qëllime të caktuara. për Arsyet që japin janë të ndryshme, por sipas tyre mbështeten në një logjikë të pastër…

“Kur pashë censusi ishte një numër fiktiv. Vetëm për qytetin e Korçës është shumë pak. Ndoshta është dhe mënyra se si janë pyetur që nuk kanë ditur të kthejnë përgjigje. Arumunë, apo vllah, çfarë do ta quajmë, jemi arumunë kemi gjuhën dhe zakonet tona. Ne përpiqemi ti transmetojmë. Jam fanatike për ta ruajtur që ë ruajmë me shumë fanatizëm”, u shpreh Mirela Veriga, Kryetare e Shoqatës së Vllehëve për Korçën.

“Censusi nuk është i vërtetë, për shkak të faktit se shumë nuk e deklarojnë fare përkatësinë e tyre, për arsye të ndryshme. Ndoshta disa deklarojnë vetëm se janë shqiptarë. Ka njëlloj ndrojtje, për të mos thënë frikë që është trashëguar nga periudha e komunizmit”, u shpreh Daniela Stoica, Sekretare e Konsullates së nderit të Rumanisë.

Nisur nga debati i numrave të censusit, duke qenë se vetëm për një dekadë thuajse ka pasur një tkurrje të numrit të vllehëve me rreth 6 mijë persona, ka disa teori të ndryshme në lidhje me deklarimet fiktive sipas komunitetit. Në censusin e vitit 2011, organizata e minoritetit grek në Shqipëri OMONIA, doli hapur duke u kërkuar vllehëve të deklarohen grekë. Rezultatet e censusit aso kohe dhe në vitin 2023, tregojnë qartë rezultatet e asaj fushate.

“Ne jemi komunitet interesant dhe nuk më shqetëson, sepse statistikat nuk tregojnë të vërtetën. Nuk flas për njerëzit dhe po flas për familjen time. Nusja ime nuk është arumune. Fëmijët e dinë identitetin, por nuk i obligoj të deklaroj se janë arumun”, u shpreh Elvis Toçi, Konsulli i nderit i Rumanisë/Vlleh.

“Numrat në Shqipëri, kanë dalë shumë pak, shifra që kanë dalë, pasi vetëm fisi Petraj në Shqipëri ka rreth 3 mijë persona. Censui nuk mban përgjegjësi. Unë nuk jam pyetur dhe asnjë nga familjarët e mi nuk është pyetur”, u shpreh avokati Edmond Petraj.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta