Inside Story/ Propaganda greke dhe realiteti, vllehët e Jugut të Shqipërisë: Jemi krenarë që jemi shqiptaro-vlleh!
Pasojat direkte të këtyre tërheqjeve sa nga njëri krah në tjetrin është zvogëlimi artificial i numrit të komunitet vlleh. Kjo strategji automatikisht synon uljen e numrit të shqiptarëve në trojet e tyre në Jug. Në fakt, kambanat e alarmit kanë rënë prej kohësh.
“Janë ndikimet e këtyre shteteve që i kanë bërë të futen në ndikimin e fuqisë së identifikimit me pasaportë”, u shpreh Kryetarja e Shoqatës së Vllehëve për Korçën Mirela Veriga.
Jashtë kamerave dhe vetë anëtarët e komunitet vlleh, me dhimbje tregojnë se në qytete si Korça, apo Gjirokastra, tashmë vllehët shqiptarë janë në një proces të madh asimilimi, pasi kanë marrë në një masë të gjerë pasaporta greke. Kjo do të thotë se në deklarimet e tyre për shtetësi, deklarohen sipas pasaportës që kanë, përndryshe mund të kenë pasoja direkte në humbjen e benefiteve ekonomike.
Inside Story udhëtoi drejt qarkut të Korçës ku është dhe kryeqendra e madhe e vllehëve. Historia e zhvillimit të Voskopojës është padyshim një krenari, jo vetëm për komunitetin, por dhe vetë shqiptarët. Patjetër, një histori që mbart edhe dhimbje.
“Interesant për Voskopojën ka të dhëna dhe nga arkivi i Vendikut, por është kondiku i manastirit të Shën Prodromit, që ka gjithë historinë e Voskopojës nga 1600 e kanë shkruajtur murgjit, deri në vitin 1800, pas shkatërrimit të Voskopojës. Asnjëherë nuk bëhet ndarje të karakterit etnik, shqiptar apo vllah, të gjithë janë voskopojarë”, u shpreh historian Pëllumb Xhufi.
“Vllehët e Shqipërisë janë pika kyçe, sepse të gjithë vllehët e botës i kanë sytë nga Voskopoja. Nëse Voskopoja nuk do të digjej, do të ishte historia e Ballkanit krejt ndryshe sot”, u shpreh avokati Edmond Petraj.
Sigurisht, ka shumë hamendësime për mënyrën se si do të ishte historia e Shqipërisë nëse nuk do të digjej Voskopoja, por sot realiteti është tjetër. Korça, një prej qarqeve më identifikuese të vllehëve, po lufton fort me shpresën se komuniteti do të mbijetojë dhe interesat greke do të mbeten larg.
“Në ambientet ku ndodhemi, është kisha rumune. Është kishë që identifikon komunitetin tonë. Komuniteti arumun në Korçë është shumë i madh dhe është i përqendruar në qytet dhe disa fshatra përreth. Është Voskopoja kryeqendra dhe disa fshatra përreth. Kisha është ambienti që na mbledh çdo të diel. Predikimet bëhen në gjuhën shqipe dhe në rumanisht”, u shpreh Mirela Veriga, Kryetare e Shoqatës së Vllehëve për Korçën.
“Komunitetin arumun të Korçës duhet të njihen mirë me historinë. Të rinjtë nuk e njohin më dhe nuk e flasin dialektin, është minus që mund ti bëjë të asimilohen, ose të pranojnë identitete të tjera që nuk i kanë. Ndoshta në prag të anëtarësimit në BE ata konsiderojnë se këto dallime nuk kanë rëndësi”, u shpreh Sekretarja e Konsullates së nderit të Rumanisë, Daniela Stoica.
“Identiteti është diçka që e mbart me vete gjatë gjithë jetës”, u shpreh Daniela Stoica.
Ndikimet e Greqisë pranohen dhe fliten afër, sidomos në Korçë, ku në verën e këtij viti është inauguruar dhe konsullata e re greke në pedonale.
“Korça duke qenë në kufi të Greqisë ka pasur dhe ndikimet e shtetit grek. Ndoshta dhe situata ekonomike pas viteve 90, duke ditur se shqiptarët kanë qenë të varfër. Ne jemi arumunët në Shqipëri, ashtu siç janë arumunët në Greqi. Unë them se jemi arumun, e para jam shqiptare e lindur dhe rritur në Shqipëri. Kushtet ekonomike detyruan shqiptarët të largohen dhe të gjejnë vende pune në shtete të tjera dhe Greqia ka qenë një nga ato vende”, u shpreh Mirela Veriga.
“Sidomos pas viteteve 90, ekzistonin më shumë mundësi për arumunet. Të rinjtë u drejtuan në Rumani me bursat. Disa kanë qëndruar atje, disa janë kthyer dhe kontribuojnë me profesionet e tyre këtu në Shqipëri. Një pjesë i janë drejtuar Greqisë për punë. Rumania ka investuar në burimet njerëzore për të forcuar komunitetin dhe Shqipërinë si vend”, u shpreh Daniela Stoica, Sekretare e Konsullates së nderit të Rumanisë.
Situata nuk është më e mire as në Gjirokastër, ku ndodhet një komunitet të konsiderueshëm të popullsisë vllehe. Inside Story udhëtoi drejt njësisë administrative “Odrie”, ku është dhe përqendrimi më i madh i minoritetit.
“Këtu jemi në njësinë administrative Odrie, njësi nën juridiksionin e Bashkisë Gjirokastër. Në këtë njësi janë 5 fshatra dhe në 4 prej tyre, jetojnë anëtarë të komunitetit vllah. Në Andon Poçi, Labovë e Madhe, Labovë e Vogël dhe Hundëkuq.
Në pesë fshatrat e njësisë administrative Odrie, bashkëjetesa ndërmjet shqiptarëve dhe komuniteti vlleh ka qenë e admirueshme. Banorët kanë qenë krah njëri-tjetrit në gëzime dhe në halle”, u shpreh administratorja Mimoza Shëngjergji.
Top Channel