Goli i Atleticos duhej të ishte anuluar? Ka shumë dyshime për prekje me dorë nga Baena…
Fluturimi i linjës “Air Albania” nga Tirana drejt Stambollit, i parashikuar të nisej sot (të mërkurën) në orën 18:20, është anuluar në mënyrë të papritur dhe pa asnjë arsye zyrtare, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, e prekur dhe penalizuar rëndë pas këtij incidenti.
Ndër udhëtarët që kishin prerë bileta ishte edhe Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza, e cila ishte nisur drejt Turqisë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore të planifikuara prej kohësh, në datat 28 nëntor dhe 1 dhjetor. Ky anulim i pashpjeguar, po sipas FSHF-s, ka prishur tërësisht programin e ekipit përfaqësues, teksa futbollistet dhe stafi teknik u detyruan të kthehen mbrapsht, pasi u lanë në pritje pa asnjë njoftim dhe pa asnjë zgjidhje alternative nga kompania ajrore.
Sakaq, zyra e “Air Albania”-s në aeroport ishte e mbyllur dhe numrat e telefonit të kompanisë ishin të fikur, me qytetarët që nuk kishin asnjë mundësi ku të kërkonin ndihmë apo asistencë. Situata e krijuar rrezikon seriozisht zhvillimin e këtyre ndeshjeve, duke vendosur në pozitë të vështirë jo vetëm Kombëtaren, por edhe Federatën Turke të Futbollit, e cila ka pritur ekipin shqiptar sipas planit, bëjnë me dije burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për Top Channel.
Anulimi i fluturimit, pa shpjegim dhe pa ofrim alternativash të menaxhuara siç kërkojnë standardet ndërkombëtare të transportit ajror, ngre shqetësime serioze mbi funksionimin dhe përgjegjësinë e kompanisë “Air Albania” ndaj pasagjerëve të saj. Rasti i sotëm tregon se mungesa e komunikimit dhe improvizimi në situata të tilla dëmtojnë drejtpërdrejt sportin, institucionet dhe qytetarët që mbështeten te udhëtimet ajrore për detyrime zyrtare ose personale.
Ndërkohë që FSHF bën me dije se ekipi kombëtarë i vajzave do të niset paraditen e së enjtes me një tjetër linjë drejt Stambollit.
Top Channel