“Gjuha shqipe, urë lidhëse”/ Dita e Alfabetit, zv.ministrja Premti në Manastir: Prioritet i politikës sonë të jashtme
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, qendra e qytetit të Durrësit u kthye sot në një hapësirë simbolike solidariteti dhe angazhimi qytetar ku zotëroi ngjyra portokalli.
Gra dhe vajza, kryesisht nga zonat periferike, por edhe shumë qytetarë durrsakë, u bënë bashkë për të përcjellë mesazhe kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të kërkuar më shumë siguri në komunitet. Në kuadër të aktivitetit nisi dhe nënshkrimi i një peticion publik për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit, një hap i parë drejt procesit të amnistisë kombëtare për armët.
Aktiviteti u organizua nga aktorë të shoqërisë civile që prej vitesh qëndrojnë në krah të grave dhe vajzave të prekura nga dhuna.
Sipas të dhënave zyrtare të periudhës janar–shtator 2025 vetëm në Komisariatin e Policisë së Durrësit janë plotësuar 351 kërkesa për Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje, prej të cilave 161 janë referuar njëkohësisht si vepra penale të dhunës në familje. Durrësi kryeson listën kombëtare, duke dëshmuar se dhuna në familje nuk është përjashtim, por realitet për shumë gra. Po ashtu, Durrësi mbetet një ndër zonat me numrin më të lartë të kërkesave për zgjidhje martese.
Pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe agjencive ligjzbatuese, sipas organizatoreve, vendi ynë vazhdon të tronditet nga rastet e femicideve, shumica e të cilave kryhen me armët pa leje që ende ndodhen në duart e popullatës. Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” (25 Nëntor – 10 Dhjetor), kjo shoqatë e cilëson çështjen e armëmbajtjes pa leje një urgjencë kombëtare, ndaj gjatë fushatës u deklarua dhe nisma për një peticion publik, me synimin për të krijuar kushtet drejt një amnistie kombëtare për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit, me qëllim që të reduktohet rreziku, të parandalohen tragjedi dhe të shpëtohen jetë.
Në përputhje me temën globale të këtij viti, “T’i japim fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave”, gjatë aktivitetit u theksua se hapësira online po shndërrohet me shpejtësi në një terren të rrezikshëm. Ngacmimet, publikimet pa pëlqim, manipulimet, shantazhi dhe gjuha e urrejtjes po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, veçanërisht ndaj grave që janë të ekspozuara publikisht.
“Dhuna që nis online rrallë mbaron online”, u theksua në aktivitet. Ajo shpesh kthehet në frikë, izolim dhe madje në dhunë fizike. Në nivel global, 44% e grave nuk mbrohen nga legjislacioni kundër dhunës digjitale, një boshllëk që reflektohet edhe në Shqipëri, ku nevoja për ndërgjegjësim dhe forcim ligjor është më urgjente se kurrë. Organizatoret deklaruan se do të vazhdojnë të punojnë për një shoqëri ku gratë dhe vajzat jetojnë të sigurta, të respektuara dhe të fuqizuara.
Top Channel