“Jemi 20 vite mbrapa, duhet t’i kishim planifikuar këto gjëra”/ Buffon flet për gjendjen e Italisë: Shkojmë në Botëror, por…
Këshilli Federal ka miratuar sot një masë të re të rëndësishme, e përfshirë në Manualin Kombëtar të Licencimit, që synon të nxisë punësimin dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj italianë.
Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, e cilësoi vendimin si një hap konkret drejt ndryshimit të sistemit dhe rritjes së konkurrueshmërisë së talenteve vendase.
Sipas Gravina-s, ky ndryshim mbështetet në parimet e planit strategjik të miratuar në mars 2024, i cili parashikon uljen e treguesit të Kostos së Zgjeruar të Punës nga 0.8 në 0.7 deri në verën e vitit 2026. Ky tregues lidhet ngushtë me mekanizmin e “ngrirjes së transferimeve” për klubet e Serie A.
Risia më e madhe e ligjit është fakti që kostot dhe amortizimi i lojtarëve nën 23 vjeç, të cilët janë të kualifikuar për ekipet kombëtare italiane, nuk do të përfshihen më në llogaritjet e këtij treguesi financiar. Për Serie B dhe Serie C, e njëjta rregull vlen për lojtarët nën 21 vjeç.
Sipas FIGC, ky ndryshim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në strategjitë e klubeve, duke i shtyrë t’i investojnë më shumë dhe t’u japin më shumë minutazh talenteve italiane. Në perspektivë, masat mund të sjellin një transformim të thellë të futbollit italian, me përfitime të dukshme edhe për ekipin kombëtar.
Në lidhje me përdorimin e lojtarëve italianë, presidenti Gravina theksoi se çdo formë detyrimi është e pamundur dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Kufizimet apo masat që kërkojnë detyrimisht përdorimin e italianëve janë të papranueshme. Ajo që mund të bëjmë është të ofrojmë stimuj ekonomikë dhe rregullatorë,” – u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për një ndryshim të thellë kulturor në zhvillimin e të rinjve.
Ai shtoi se mund të ketë edhe masa të reja ligjore në të ardhmen, përfshirë edhe ndryshime të mundshme në ligjin Melandri.
Duke folur për situatën e ekipit kombëtar dhe mundësinë e shtyrjes së javës së 30-të të kampionatit, Gravina u tregua i prerë: “Shtyrja e javës së 30-të nuk është një opsion; orari është i bllokuar. Nuk ka rregull që FIGC të lidhet me fatin e kombëtares. Unë u zgjodha me 98% të votave. Për përgjegjësi personale është ende herët të flasim.”
Presidenti shprehu besimin se Italia do të arrijë kualifikimin në Kupën e Botës, duke theksuar se rregullat e FIFA-s janë të qarta dhe nuk ka vend për kërkesa jashtë protokollit.
“Jam optimist. Do të shkojmë në Kupën e Botës. Nëse krijohet një renditje, disa skuadra ndoshta meritojnë një avantazh, por ky nuk është një argument që vazhdohet më tej.”
Me miratimin e ligjit të ri dhe politikave të reja të zhvillimit, FIGC synon të hapë një epokë të re për futbollin italian – më shumë talent vendas, më shumë hapësira për të rinjtë dhe më shumë konkurrencë brenda dhe jashtë vendit.
Top Channel