Gazetari Artan Hoxha shpallet non-grata nga Greqia, reagon deputeti i PS, Ardit Bido: Abuzimi më i madh i vlerave evropiane

24/11/2025 16:19

Gazetari Artan Hoxha është ndaluar orët e para të mëngjesit të sotëm të kaloj në tokën greke, pasi sipas informacioneve ai është shpallur person non-grata dhe i është dashur të kthehet pas.

Pas kësaj ngjarjeje, ka reaguar deputeti i PS Ardit Bido, i cili e cilëson këtë masë të papranueshme dhe si abuzimin më të madh me vlerat evropiane.

“Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre.

Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit.

Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane”, shprehet ai.

Ky nuk është rasti i parë që Greqia merr një masë të tillë për gazetarët, pasi shumë vite më parë shteti grek ka shpallur si person të padëshirueshëm gazetarin e Top Channel, Marin Mema.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta