Moti i keq “pushton” Greqinë perëndimore, shumë zona pa energji elektrike/ Disa bashki shpallin gjendjen e emergjencës

23/11/2025 15:00

Disa orë pas valës së rëndë të reshjeve që goditi Greqinë Perëndimore, banorët në zonat e prekura vazhdojnë të numërojnë dëmet.

Fusha të përmbytura, rrëshqitje dheu dhe fshatra të izoluara është tabloja që shfaqet sot në Epir, Korfuz dhe Kostur. Në shumë komunitete mungojnë ende energjia elektrike dhe uji i pijshëm, ndërsa katër prefektura dhe gjashtë bashki të Epirit janë shpallur zyrtarisht në gjendje emergjence.

Në Korfuz edhe pse ekipet e pastrimit punojnë vazhdimisht, reshjet rikthehen herë pas here, duke e mbajtur të lagur dhe të paqëndrueshëm terrenin. Mbrëmë ra sërish shi, jo aq i fuqishëm sa ditët e kaluara, por i mjaftueshëm për të rritur shqetësimin mes banorëve.

Në zonat nalore janë krijuar erozione të rrezikshme nën themelet e banesave.Edhe rruga bregdetare është shkatërruar rëndë dhe mbetet e papërshkueshme. Ekipe të posaçme të bashkisë, rajonit dhe Ministrisë së Krizave Klimatike kanë filluar inspektimet për të përllogaritur dëmet në infrastrukturë që llogariten në disa miliona euro.

Kryebashkiaku i Korfuzit të Veriut e përshkruan situatën si dramatike, me 20 komunitete që përballen me mungesë uji, energjie dhe akses të kufizuar ,ndërsa ka urdhruar qe shkollat të mbeten të mbyllura edhe nesër.

Probleme të rënda raportohen edhe në Arta, Janinë, Prevezë dhe Thesproti. Në Janinë reshjet e shiut vazhdojnë, ndërsa në zonat malore kanë rënë flokët e parë të dëborës.

Megjithëse sinoptikanët parashikojnë një përmirësim gradual në orët në vijim, ata paralajmërojnë se nga e marta pritet një cikël i ri reshjesh që do të vështirësojë përditshmërinë e banorëve në pjesën perëndimore të vendit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta