Izraeli bombardon bazën e Hezbollahut në Bejrut: Eliminuam numrin 2 të organizatës

23/11/2025 21:26

Hezbollahu konfirmoi sot se një “fytyrë e rezistencës” kundër Izraelit u vu në shënjestër në një sulm të synuar izraelit në fortesën e tij në periferitë jugore të Bejrutit, pa specifikuar identitetin ose gjendjen e tij shëndetësore.

“Një nga vëllezërit një fytyrë e rezistencës”, u vu në shënjestër, tha Mahmoud Komati, një zyrtar i lartë i Hezbollahut, nga zona ku ndodhi sulmi, duke shtuar se “rezultatet nuk dihen”. Ai akuzoi Izraelin, i cili konfirmoi se kishte sulmuar shefin ushtarak të Hamasit, për “shkelje të një vije tjetër të kuqe”.

Nga ana e tij, Presidenti libanez Joseph Aoun i bëri thirrje sot bashkësisë ndërkombëtare të “ndërhyjë me vendosmëri” për të ndaluar sulmet e Izraelit.

Në një njoftim për shtyp, kreu i shtetit libanez i bëri thirrje “bashkësisë ndërkombëtare të marrë përgjegjësitë e saj dhe të ndërhyjë seriozisht dhe me vendosmëri për t’i dhënë fund sulmeve kundër Libanit”.

Shënjestra ishte “numri 2” i Hezbollahut

Më parë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë se shënjestra e sulmit ajror izraelit në Bejrutin jugor ishte Haitham Ali Tabatabai, shefi de facto i shtabit të Hezbollahut dhe i dyti në komandë pas Sekretarit të Përgjithshëm Naim Qassem.

Sipas deklaratës zyrtare nga zyra e kryeministrit, “IDF goditi së fundmi, në zemër të Bejrutit, shefin e shtabit të Hezbollahut, i cili po drejtonte përpjekjet ushtarake të organizatës për përforcime”.

Deklarata shtoi se Netanyahu urdhëroi sulmin me rekomandimin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta