“Toni ka luajtur nga fiqiri, Tërmeti do të marrë hak për Zegjinenë”, satira e Gjekmarkajt për seancën në Kuvend: Kryezëvendës Flamuri me “armën” sekrete…

22/11/2025 12:22

Nga Agron Gjekmarkaj

Natë e errët qe! Shiu binte me gjyma! Qentë lehnin si të tërbuar. Tirana dridhej. Dajti sterroste dhe dukej sikur lëshonte mallkime.

Aty këtu bubullimat derdhnin zemërimin e tyre, si Bela ndaj Babos pas vendimit të Spakut. “Duro o Babo, zemërimin e Belës, siç durojmë gjëmimet e natës!”, përfytyroja Tezen të psherëtinte.
Por mendimet mu prenë në mes. Në derë u dëgjuan disa trokitje të zemëruara.
Gjumi pësoi thyerje dhe u thërmua si një gotë kristali. “ Hape mi, hape mi!” dëgjohej një zë i nxituar. U çova me vërtik dhe mëqënëse edhe unë, si Trump, nuk vesh pizhame, vonova pak derisa i gjeta një palë rroba për tu gjasme mbuluar, ndërsa bam- bumi mbi portë vazhdonte si një kopan prej Sauku. Dhe po kaq thirrja “Hape mi, hape mi!”.

Zbres me kandil në dorë, si Diogjeni që kërkonte njerinë, e shoh një burrë jo fort të bëshëm, nën nje pelerinë që kullonte ujë. “Hajër, ishallah, ç’të solli ne mesin e kesaj hataje o njeri i mirë?”, iu drejtova me një frymë.
“Jam Erjoni mi.”
“Cili Erjon?”, pyes me kureshti.
“Erjon Braçe mi, po më prij të bëjmë pak muhabet këtu në haur!”
E madhe qe habia si gjëma e mëkatit! “Dëgjo”, më tha, po të sjell haberre jo të mira”.
U zverdha.
“Tre ‘buajt’ e parlamentarizmit Niko, Tao dhe Toni po organizojnë një pusi, po të qesin në pritë!
Toni një herë ka lojtur fare mi nga fiqiri qëkur opozita i ktheu mollaqet qeverisë dhe Babos.
Ai mendon mos ke ti gisht. Sadoma e Gomorra, i duket se nja dy ministra janë turbulluar në burrëri, pa një pa dy lëshon nama , i zëntë majesëlli, i shkartisttë kroma!”

Nikua ynë qerratai u mërzit pse ti qeshe kur po fliste Shalsi intelektual i shquar, se ai e rendit atë me oratorët e mëdhenj pas Demostenit, Ciceronit, Çurçillit e Kastros.
Ndërsa Tao, i cili pret të bjerë Bela e të marrë ymër, mall e zahiretë në parti, e ka zët t’i vësh në dukje ato që i bën Nikos për ta dobësuar.
Është fyer që e ke krahasur me Luigj Gurakuqin se ai është nga Librazhdi dhe i pëlqen t’i thonë si Llaz Popa, themelues i qytetit.

“Po Babo di gjë?”, shqiptova unë. “Nuk flas mi me Babon prej kohësh ! Auuu po, Ditmari për një mos të hypur në makinë e hengri dhe ka gjashtë vjet që përtyp thonjtë me dhëmbë!”
“Po ç’do më bëjnë?”, pyeta i çmeritur.
“Po organizohet një komitet i deputeteve të rinj, si ai shpëtimit kombëtar në 1997.
Tanimë shkon Ulësia me porosi tavolinë në tavolinë, si i ngeshëm që është, dhe shpërndan helm, u thotë që ai ju tall, ai kështu e ashtu. Ndaj i duhet dhënë një mesim i mirë, ç’i duket vetja atij? Mendon se është Çelebiu i Kuvendit?
Klosi aty afër, i mërzitur se rri natën zgjuar, e mbështet. Duhet rrahur, duhet rrahur, po kush ta bëjë, unë jam humbameno e ne jemi orëvdekur e gjytyryma, nuk doli dikush t’ja ndreqë samarin?”, ofshan parreshtur.

Kryesinë e Komitetit e ka marrë Termeja, i cili do të marrë hak edhe per brëngat e Tezes, Zeniqeja, Sara dhe Kiduina, Loer Kume zëdhënës !

Lebetira kam degjuar për rrjepje, prerje, kopanisje.”
Më renditi gati nja tridhjetëpesë propozime që ishin bërë për të me sakatuar, deri edhe synetllëk, edhe pse jam katolik.

Shikimi mu mjegullua tek imagjinoja Termenë me sqepar, Zeniqenë me gërshërë, Dilon me drapër, Sarën me shkop, Kiduinen me biçak, Pirdenin me hithra, Netën me çomange,Arkendin me kosë , Buçkon me qyski!

“Po a shprehu njeri keqardhje?”, pyes në dridhje e sipër ?

“Nga gratë asnjë, tha, se je dëshmuar diskriminues, ke bërë hatëre, ke ngritur kultin e Jorushit të Tabakeve ( Urushit), a thua se është kërthizë e Botës, u kujton një e dy melankolinë poetike të Etildës, bemat e Mimi di Puccini dhe ndezullinë e Bledion Nallbasë për Mamicen, duke e përshkruar këtë të fundit me nota idilike mbi re, duke fluturuar e qemtuar sallonet ndërsa këto që zvarriten per të rënë në sy!

Pirro Dengu dhe Sypetrit Malaj bashkë me Lamellarin kerkonin pjekje në hell e s’kemi te nginjur thonin! Ervin Hoxha dihatej! Aman lereni se ai i kujton miletit qe jemi ende gjallë po na bën nder besomeni, nuk ka reklame te keqe!

Po ai Kosta virani, e more vesh me tha, tani do quhet Kostaqi i Gramozit, Linditës, Mamicës e Nikos!
Në dritare është pare Niko duke e pritur.

Një vjershëtor pa emër e pershkruan në vargje:
“Rrugës flet e qan me ligje,
Qajnë me të brigje më brigje,
Vijnë kujtimet shtigje – shtigje,
Kostaq, vëlla i situr,
Sytë e tu janë të makthitur,
Çfarë më fsheh që je pahitur,
Si u ktheve, pa e ditur?”

Nga burrat, vetëm Fatmir Xhafa kërkoi të mbizotërojë arsyeja dhe të respektohet liria e talljes e satirës, madje të mbahet parasysh edhe në Kodin e ri Penal!

Madje, si lab arsyetoi se kur një njeri nuk kursen veten dhe thite jam frikacak që rri në dhomë me gra e fëmijë, kur jashtë bëhet hataja, duhet respektuar.

“Po Ogi ?”, pyeta.
“Ajo tha se meqenese e keni ndarë mendjen, rriheni po jo shumë, lereni gjallë e për gazep se edhe mua dikur, edhe pse jam në lule të moshës, më thërriste “teta Ogi”, duke më prishur gjakun !”

“Ekonomi ç’mejtoi?”
“ Ajo më çmendi fare, u gjegj Braçe. Merreni okllaine që ma përmend kaq shumë kur bëj byreçka dhe vërtitisni shpinës haramsëzit ! Olta mbajti qëndrim më diplomatik. Le të thirret të qortohet rëndë se e rrahura na bën parti terroriste, por nuk mori konsensus!

Delina Ibrahimi qe më e drejtpërdrejt.“Druri ka dalë nga xhehneti, është derman”!
Evis Kushi propozoi vetëm dy tre shpulla simbolikisht!
Klod Spahiu respektoi Kodin e pashpallur të Nënkryetarëve dhe nuk foli.
Zhgenjim i madh ishte Bora që paskësh thënë jo vetëm të rrihet, por t’i hidhet kripë në plagë, me dorën time do ia shpërndaj! Rrite, rrite Borën në Kronikë dhe priti pasojat.

Ia kisha lakmi çdo purteke, alivani e frikë ndjeva ndër deje! Sa iku Braçja, u fsheha në një dollap që të ndihesha i sigurtë! Pas ndonjë ore, e mblodha veten. “Turk e trim, thashë, nuk ka vdekë Opozita! Sa t’i rrëfej Kryezëvendës Liderit Flamur, i cili qet armën sekrete si ateherë qe ja bëtë lajm, Salianjit që e ka dorën gjyle e llafin zift, Klevisit e ndonje tjetri si Enno qe ju sheh vënger, pa ta shohin ata myteberë kush do kopaniset! Le më tu mbajë një fjalim katër orë Ina Zhupa, do u dhimbseni gurit e drurit! E nese Oerdi ju fut në logjiken e neneve penale do kalbeni të shtatë penxherete!
Pastaj më mirë futeni kokën në Lanë, se të hyni në gojën e Gaz Bardhit, që është mitrolloz e shkuar mitrollozit!! Gjylet e Gazit nuk janë si ato të Mato Grudës që qëllojnë mullarët e Fizëve’
Ndërsa për gratë mendon Elda Hoti, si rrufe mizore! Dhe, tek e fundit, nëse bie shahit, të gjithë do mbyteni në lotët e Jorushit! Që s’ka damixhanë që i mbledh!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta