Udhëheqësit kryesorë të vendeve europiane kanë shprehur rezerva të forta ndaj planit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se propozimi aktual është “një bazë që kërkon punë shtesë”.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar gjatë samitit të G20 në Afrikën e Jugut, liderët theksuan se plani i paraqitur nga Uashingtoni përfshin elemente të rëndësishme “thelbësore për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, por se brenda tij mbeten pika të diskutueshme – veçanërisht çështja e kufijve dhe kufizimet e propozuara mbi forcat e armatosura të Ukrainës.
Deklarata vjen vetëm një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Ukraina po përballet me “një nga momentet më të vështira të historisë sonë”, mes presionit për të pranuar planin amerikan, detajet e të cilit – të publikuara në media – janë konsideruar të favorshme për Moskën.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka vendosur afat Kievit deri më 27 nëntor për të pranuar planin me 28 pika, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ai mund të shërbejë si “bazë” për një marrëveshje përfundimtare.
Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga liderët e Kanadasë, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Hollandës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Norvegjisë, si edhe nga dy përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.
“Jemi të gatshëm të angazhohemi për të siguruar që një paqe e ardhshme të jetë e qëndrueshme. Jemi të qartë mbi parimin se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë”, thuhet në deklaratë.
Liderët shprehën gjithashtu shqetësim për kufizimet e propozuara ndaj ushtrisë ukrainase, të cilat, sipas tyre, mund ta lënë vendin të pambrojtur ndaj sulmeve të ardhshme.
Në fund, ata theksuan se çdo element që lidhet me BE-në apo NATO-n duhet të marrë miratimin e plotë të vendeve anëtare përkatëse, duke lënë të hapur mundësinë e negocimit të planit në vijim.
Top Channel